Analisti Visar Ymeri, ka thënë se kandidatura e Hajrullah Çekut, nuk do të sjellë mobilizim në radhët e partisë dhe se, sipas tij, me këtë zgjedhje, Vetëvendosje ka pranuar humbjen pa e nisur ende garën.
Ymeri në “VV Show” u shpreh se Çeku nuk është kandidati i duhur për kryeqytetin.
“E di që është përfol emri i Hajrullah Çekut për një kohë si kandidat potencial i LVV por mendoj që nuk është kandidati i cili do ta mobilizojë LVV-së. Në njëfarë mënyre la të kuptohej që nuk ka qenë vullnet i tij, por kërkesë e partisë”, deklaroi Ymeri.
Ai shtoi se vendosja e Çekut në garë për Prishtinën ishte e papritur, sidomos për qytetarët e Prizrenit, të cilët kishin pritshmëri që ai të kandidohej atje.
“Pse e ka vendos Kurti në Prishtinë, kur një pjesë e konsiderueshme e kanë prit në Prizren. E kam prit edhe unë Çekun për Prizrenin. Janë fol shumë emra për Prishtinë”, tha Ymeri.
Sipas tij, kjo zgjedhje nënkupton një qëndrim të dorëzuar të partisë.
“VV me Çekun e ka pranu humbjen në Prishtinë, hala pa ja nis garës e ka pranu humbjen. Kur të hyn në zgjedhje me këtë pranim, rezultati ka me qenë shumë i keq. A ka Çeku gjatë katër viteve të qeverisjes, ndonjë qëndrim pozitiv për Prishtinën, si ministër i Kulturës, përveç bllokimeve”, deklaroi ai.