Analisti politik, Visar Ymeri ka komentuar votën e deputetes Shqipe Selimi, kundër zgjedhjes së Donika Gërvallës kryeparlamentare.
Ymeri në “VV Show” u shpreh se, reagimi i Selimit ka qenë i duhur, edhe pse sipas tij erdhi vonë dhe jo aq sa do të duhej.
“Unë mendoj që reagimi i Shqipës ka qenë i duhuri edhe pse për mendimin tim jo sa u dasht dhe pak vonë, unë mendoj që Shqipja ka pas plotësisht të drejtë dhe legjitimitet të plotë me votu kundër Donika Gërvallës”, tha Ymeri.
Ai shtoi se Selimi nuk është dashur ta pranojë me qetësi Gërvallën as si ministre të Punëve të Jashtme.
“Nuk mendoj që Shqipja është dasht madje as me kaq qetësi me pranu Donika Gërvallën si ministre të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka të drejtë me ndryshu mendimin e vet, por nuk kam pa distancim nga këto deklarata të Donika Gërvallës”, u shpreh ai.
Duke folur për qëndrimet e Gërvallës, Ymeri tha se ajo ka ndryshuar perceptimin ndaj Rexhep Selimit.
“Donika Gërvalla mendon që ish-kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje deri sa ka shku në Hagë, tash Donika Gërvalla mendon për këtë deputet që vjen nga bota e krimit”, deklaroi Ymeri.