Analisti Visar Ymeri ka ngritur dilema për mënyrën se si Qeveria Kurti po përdor statistikat për të paraqitur një situatë më të favorshme ekonomike se ajo që realisht përjetohet nga qytetarët.
Ymeri ka vënë theksin në përdorimin e statistikave nga Qeveria, duke thënë se shpeshherë numrat më të favorshëm publikohen për të krijuar një perceptim pozitiv në opinion, ndërsa realiteti në terren është ndryshe.
Ai kritikoi sidomos mënyrën se si qeveria flet për ndihmat për fëmijët, duke përmendur numrin e fëmijëve përfitues, por duke injoruar faktin se ndihmat janë vetëm 10 ose 20 euro, të cilat nuk kanë ndikim të madh në jetën e përfituesve.
“Mendoj që për këtë është bë një maskim kogja i madh i realitetit të njerëzve që unë e di që shpeshherë njerëzit thonë se nuk ka problem se ti nuk mundesh me mashtru njerin i cili është duke jetu në qato kushte”, ka thënë ai.
Sa i përket rritjes së ekonomisë, Ymeri vuri në dukje një diskrepancë mes deklaratave të Qeverisë për rritjen ekonomike dhe buxhetit, dhe mungesës së një rritje proporcionale të vendeve të punës.
Ai shprehu habi se si mund të ketë një “bum ekonomik”, ndërsa punësimi nuk po rritet në të njëjtin nivel.
“Thonë është rrit shumë ekonomia dhe buxheti por pastaj kjo nuk reflektohet në një rritje proporcionale të vendeve të punës”, ka thënë ai.