Në emisionin VV Show, gazetari Vehbi Kajtazi dhe analisti Visar Ymeri kanë diskutuar rastin e njohur si “53 milionëshi”, duke u ndalur te përgjegjësia politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dallimet në mënyrën e qeverisjes mes tij dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Gazetari Vehbi Kajtazi theksoi se rasti i ish-ministrit Pal Lekaj nuk mund të shkëputet nga përgjegjësia e kreut të qeverisë së asaj kohe.
“Në rastin e Pal Lekaj, 53 milionëshi nuk ka ndodhur pa Ramush Haradinajn. Pali është në procedurë gjyqësore, por i gjithë ky krim supozohet se ka ndodhur gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt. Pra, Ramushi ka përgjegjësi në këtë krim kaq të madh”, deklaroi Kajtazi.
Nga ana tjetër, analisti Visar Ymeri pranoi përgjegjësinë politike të Haradinajt në emërimin e Pal Lekajt si ministër, por theksoi se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të çdo vendimi të ministrit.
“Normal që Ramush Haradinaj ka qenë ai që e ka vendosur Palin si ministër, por kjo nuk do të thotë se Haradinaj ia ka kontrolluar çdo punë Pal Lekajt”, u shpreh Ymeri.
Ai shtoi se në këtë aspekt ekziston një dallim i qartë me mënyrën e funksionimit të Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në Vetëvendosje, Albin Kurti i kontrollon të gjithë ministrat dhe nuk beson në autonominë e ministrit. Këtu qëndron dallimi”, tha Ymeri.






