Analisti Visar Ymeri ka vlerësuar se rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për Dhomat e Specializuara është hartuar në mënyrë të kujdesshme për të ruajtur neutralitetin dhe për të shmangur çdo interpretim si ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Duke folur në Debat Plus, Ymeri tha se teksti i rezolutës është i balancuar dhe, sipas tij, është përgatitur nga ekspertë me qëllim që të mos krijojë pengesa apo ndërhyrje në punën e Gjykatës Speciale.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar këtë rezolutë me 90 vota për dhe 1 kundër. Dokumenti, i paraqitur nga PDK-ja, kërkon angazhim dhe respektim të ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ndërkohë, propozimi i LDK-së për përfshirjen e një paragrafi lidhur me zbardhjen e vrasjeve pasluftës nuk u përfshi, dhe si rrjedhojë ky subjekt politik nuk mori pjesë në votim. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fato Geci, ishte i vetmi që votoi kundër.
Sipas Ymerit, rezoluta nuk përjashton ndjekjen e personave që mund të kenë kryer vepra penale, por kërkon që askush të mos ndëshkohet pa prova dhe pa një proces të drejtë.
“Kur e lexon tekstin se është e vërtetë, se kishte thënë edhe (deputeti i PDK-së Përparim) Gruda që e ka paraqitur, që e kanë shkruar ekspertët. Po mendoj që ata e kanë shkruar me një sy të veçantë. Një diçka që nuk do të duhej dhe nuk do të mund të interpretohej as si ndërhyrja e as si pengim i procesit. Dhe në këtë drejtim mendoj që rezoluta është e paanshme… Rezoluta thotë aman respektoj të drejtat juridike të njeriut dhe parimet ndërkombëtare… dhe rezoluta po kërkon që njerëzit e pafajshëm s’mund ti çosh në burg veç pse ty ka tek, ama s’po thotë që s’mund ti çosh ata që kanë faj. Prandaj po them se çfarëdo shtese në të do të mund të prishte balancin, neutralitetin. Që për mendim tim e kanë bërë për qëllim që mos te keqinterpretohet nga gjykata”, ka thënë Ymeri.






