Analisti Visar Ymeri nxorri së fundi në emisionin “VV Show” me Vehbi Kajtazin disa strategji të komunikimit dhe organizimit që, sipas tij, janë përdorur nga Albin Kurti dhe një grup aktivistësh të afërt me të për të fuqizuar pozitat e tij brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
Ymeri tha se Kurti kishte krijuar një strukturë të brendshme të aktivistëve, të cilët ishin të organizuar në mënyrë të tillë që të përdoren si një forcë për të minuar institucionet e zgjedhura dhe të legalizuara të Lëvizjes, duke përfshirë pozita kyçe si kryetari dhe sekretari Dardan Molliqaj.
“Albin Kurti e ka ndërtu Lëvizjen edhe brenda Lëvizjes. E ka bo një grup të aktivistëve brenda, edhe i kanë bo si grup të mirëorganizuar edhe i ka përdor ata si grup pastaj për me e luftu organet e zgjedhura ligjërisht e legalisht të Lëvizjes Vetëvendosje. Prej kryetarit e te sekretari, Dardan Molliqajt e të tjerë me radhë”, tha Ymeri.
Sipas tij, Kurti këshillonte aktivistët që të shmangnin çdo identifikim publik me Lëvizjen, duke theksuar se kjo do të mundësonte shpërndarjen e mesazheve pa rrezikuar përfshirjen direkte të strukturave të partisë.
“Albin Kurti iu thojke aktivistave, i këshillojke aktivistat për shembull kur të flasin me njerëz në publik, jo domosdoshmërisht me u identifiku që unë jam aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, s’ki nevojë.
Po ti shkon ta zëmë flet me Visarin, ‘A e pe bre Vehbia mdoket kish vjedh shumë qaty’, kjo s’është e vërtetë, ti i thu sipas thashethemeve, Lëvizja nuk e merr përgjegjësinë se Lëvizja nuk e thotë atë.
A e thotë Lëvizja këtë në një konferencë për shtyp? Jo. Por e shpërndan si gënjeshtër. Nëse dhezë, përfiton Lëvizja Vetëvendosje, nëse nuk dhezë, nuk ka faj Lëvizja Vetëvendosje se nuk e ka thënë kjo”, shtoi ai.