1.6 C
New York
Thursday, January 15, 2026

Buy now

Ylli triumfon në kryeqytet, thellohet kriza e Sigal Prishtinës

- Advertisement -

Golden Eagle Ylli ka vazhduar serinë pozitive, duke e rënduar edhe më shumë situatën e Sigal Prishtinës, pas fitores së arritur të enjten mbrëma me rezultat 94:82, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 15-të të elitës së basketbollit kosovar.

Edhe pse Ylli ishte ekip vendas, takimi u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku nuk munguan as incidentet. Tre minuta para përfundimit të çerekut të parë, ndeshja u ndërpre përkohësisht pasi tifogrupi “Plisat” hodhën mjete piroteknike në parket, duke detyruar braktisjen e palestrës.

Gjatë qëndrimit dhe largimit nga salla, “Plisat” kanë drejtuar fyerje ndaj kryetarit të ri të klubit, Bekë Berisha, si dhe ndaj zyrtarëve të tjerë, përfshirë Blerand Stavilecin dhe Florian Miftarin.

Pas disa minutash ndërprerjeje, loja vazhdoi, ndërsa pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale për Sigal Prishtinën, 44:43.

Megjithatë, pjesa e dytë ishte në dominim të plotë të suharekasve. Golden Eagle Ylli fitoi çerekun e tretë 23:22 dhe atë të katërt 28:16, duke siguruar një fitore të rëndësishme me 12 pikë diferencë.

Në radhët e Yllit, Antwan Scott realizoi “double-double” me 10 pikë, 11 asistime dhe 3 kërcime, ndërsa Lis Shoshi kontribuoi ndjeshëm me 20 pikë, 4 kërcime dhe 1 asistim. Te Sigal Prishtina u dallua Deondre Burns me 29 pikë, 7 asistime dhe 6 kërcime.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Golden Eagle Yllin, që ngjitet në pozitën e shtatë me 6 fitore dhe 9 humbje, ndërsa Sigal Prishtina regjistroi humbjen e dytë rresht dhe tani ka 7 fitore e 8 humbje, statistika të njëjta me skuadrën e Borës.

Të ngjashme

Të fundit