Një përditësim i madh është bërë sa i përket situatës së njërit prej lojtarëve të Manchester Cityt, që tashmë është raportuar se ai pritet të largohet nga klubi në fund të sezonit.
Bëhet fjalë për portierin Stefan Ortega i cili jo shumë kohë më parë nënshkroi një kontratë një vjeçare me ‘Qytetarët’.
Kishte shumë thashetheme se ish-portieri i Arminia Bielefield, mund ta nis sezonin si numri një i portës pasi Ederson po lidhej me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite.
Sidoqoftë, portieri brazilian vendosi që të qëndrojë në Angli dhe kështu Ortega vazhdoi si opsioni i dytë teksa deri më tani numëron vetëm dy paraqitje.
Siç raporton BILD, Ortegas po i mbaron durimi për faktin se është zgjedhja e dytë pas Ederson dhe e përditshmja gjermane ka raportuar se ai do të shtyjë për largim në rast se nuk merr pozitën e titullarit nga Pep Guardiola.
Ortega beson se ai ka një mundësi reale për t’u ftuar nga kombëtarja e Gjermanisë dhe ta sfidojë Marc-Andre ter Stegen për fanellën e titullarit.
Gjatë muajve në vazhdim, Ortega dëshiron të kuptojë nëse ai do të jetë ose jo zgjedhja e preferuar e Guardiolës mes dy shtyllave.
Përkundër faktit se rinovoi kontratën, Ortega thuhet se ka një ‘kontratë verbale’ me klubin sipas së cilës ai mund të largohet nëse arrin një ofertë e kënaqshme.
Kujtojmë se 31-vjeçari iu bashkua Manchester Cityt si lojtar i lirë pasi Arminia Bielefeld nuk ia doli ta sigurojë mbijetesën në Bundesliga.