12.1 C
New York
Wednesday, March 12, 2025

Buy now

Ylber Hysa: Kosova duhet të ruhet nga animet dhe ndarja trans-atlantike, të mos bëhet viktimë e ndonjë divorci ShBA-BE

- Advertisement -

Një marrëveshje finale me Serbinë s’guxon të cenojë shtetin e Kosovës. Kështu ka thënë në një intervistë për Express historiani, publicisti dhe ish-ambasadori kosovar, Ylber Hysa. Ai ka porositur Kosovën për kujdes në atë se si do të mbrohet përballë stuhisë politike që fryn nga përtej Atlantikut dhe ka kërkuar kujdes për të mos u bërë viktimë e një divorci të mundshëm mes SHBA-së dhe BE-së, si dy “prindër” të Kosovës shtet.

Pas shpalljes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetësisë, një prej çështjeve që vazhdon të mbetet barrë e rëndë për Kosovën është gjetja e një zgjidhjeje finale që do të mbyllte problemin me fqinjin problematik, Serbinë. Për të ecur drejt një rruge për normalizim të raporteve, Bashkimi Evropian ka futur në obligime të dy shtetet, përmbushja e të cilave vazhdohet të kërkohet me insistim. Perëndimi kërkon një marrëveshje kompromisi si e vetmja rrugë që mund të rezultojë e suksesshme në arritjen e synimit për normalizimin e raporteve.

Por çfarë s’guxon të jetë kompromisi për Kosovën? – Historiani, publicisti dhe ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë në një marrëveshje eventuale me Serbinë, s’duhet të jetë sfiduese e shtetësisë së Kosovës.

“Përfundimi i dialogut duhet të jetë një normalizim i marrëdhënieve në rajon, pra edhe i Serbisë me Kosovën dhe e kundërta! Por, ky normalizim nuk duhet të jetë në thonjëza; nuk duhet të jetë kontestues i sovranitetit e integritetit të Kosovës, funksionalitetit të saj, në aspektin negativ. Nuk duhet as të pengojë integrimin Euro-Atlantik të njëri-tjetrit”, ka thënë Hysa për Express.

Ish-diplomati kosovar thotë se finalja e dialogut me Serbinë duhet të jetë edhe integruese në respektimin e të drejtave të të gjithëve, në veçanti të pakicës serbe, duke ua njohur e garantuar të drejtat, liritë dhe nevojat e tyre “pa dëme kolaterale në rregullshmërinë dhe funksionalitetin e tërësishëm kosovar”.

Hysa potencon se gjithashtu marrëveshja duhet të jetë një shkarkim i barrës për sponsorët e pavarësisë së Kosovës si shtet që është prodhim i një uniteti funksional trans-atlantik.

“Një “shembull i mirë” i funksionalitetit të kësaj aleance perëndimore ndoshta do të ishte lajm i mirë dhe më lehtë i arritshëm se sa sfidat tjera globale”, ka potencuar Hysa për Express.

Për historianin kosovar “ia vlejnë kompromiset e mençura”, për gjithçka që nuk shkon në dëm të “vijave të kuqe”, të cekura më lart.

Megjithatë gjërat pritet të vështirësohen me ndryshimin e madh politik që po del nga dyert e Shtëpisë së Bardhë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor, në mënyrë të veçantë Kosova, si një shtet me më shumë probleme, e ka jetike që të gjejë një pozicion të balancuar përballë politikës së re amerikane dhe ndarjes SHBA-BE, që vetëm sa po thellohet.

Historiani kosovar, Ylber Hysa, thotë se Kosova duhet të pushojë së thëni amerikanëve se janë “naivë” dhe duhet në mënyrë serioze të mendojë se si t’i qaset një administrate, e cila ka koncepte sfiduese globale e transaksionale.

Në mënyrë të veçantë, ai porosit që Kosova të tregohet e kujdesshme në pozicionim, që të mos jetë viktimë e një ndarjeje të mundshme e sponsorëve të pavarësisë së saj, SHBA-së dhe BE-së.

“Po ashtu duhet të ruhet nga animet dhe ndarje transatlantike, të mos jetë viktimë e ndonjë divorci amerikano-evropian ku Kosova si “Newborn” i këtyre “prindërve” të anonte për njërin a tjetrin ose të penalizohej nga “prindërit” e ndarë në inatet e tyre”, ka theksuar Hysa.

Përveç faktorëve të jashtëm që kanë ndikim dhe që mund të sfidojnë ecjen përpara të Kosovës si shtet, rol kyç në këtë kanë edhe mënyra e qeverisjes, mentaliteti politik dhe ajo se si partitë politikë ndërveprojnë në raport me shtetin e Kosovës.

Por, a po trasohet rrugë e mirë për Kosovën si shtet demokratik, ku thelbi i shtetit të Kosovës s’do të rrezikohet në asnjë moment?

Ish-ambasadori Hysa, i cili ka qenë pjesë e proceseve politike që nga vitet e 90-ta dhe që njeh jashtëzakonisht mirë mentalitetin politik në Kosovë, në këtë intervistë për Gazetën Express ka thënë se inati është bërë realitet dhe investim politik, sidomos i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte arritur në zgjedhjet e vitit 2021 të fitojë mbi 50 % të votave.

Hysa thotë se një rekord të tillë historik kjo parti e kishte arritur duke anatemuar, apo nxitur gjysmën tjetër, “në stilin përçaj e sundo”.

“Kosova ka qenë vendi më demokratik në rajon dhe ka treguar shpeshherë pjekuri. Këtë trashëgimi duhet të dijë ta ruajë dhe të mos ndikohet nga agjendat elektorale”, ka theksuar ai.

Publicisti kosovar shprehet se besimi në klasën politike kosovare është në nivelin më të ulët, sidomos për shkak të gjuhës që përdoret nga partitë politike. Ai e sheh shumë të vështirë të ketë një konsensus që mund të arrihet nga brenda, derisa thekson se nëse vjen si pasojë e një presioni nga jashtë “mund të ketë edhe çmim”.

Hysa, i cili ka qenë pjesë aktive e politikës në vitet vendimtare për Kosovën, thotë se konsensusi politik i brendshëm dhe i jashtëm që kishte ekzistuar në Rambuje, Vjenë dhe raste të tjera, kohëve të fundit është sfiduar, duke përmendur si shembull faktin që Kurti, në katër vitet e fundit, ka shkuar i vetëm në negociata me Serbinë dhe ndërkombëtarët.

“Historiku politik i Kosovës është që ka pasur konsensus të brendshëm e të jashtëm që nga Rambuje, Vjena etj. Kohëve të fundit, kjo trashëgimi është sfiduar. Për herë të parë ka qenë një lojtar i vetëm, më një bllok të kuq e një laps në negociata përballë përfaqësuesit nga Beogradi dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë”, ka shtuar Hysa tutje.

Në fund të intervistës, i pyetur për në paralajmërim të historianit të njohur Oliver Schmitt, se Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara, Ylber Hysa për Express ka thënë se historiani Schmit, si dikush që ia do të mirën Kosovës e shqiptarëve, e ka shprehur brengën e tij, meqë në Evropë hapur flitet për një kanosje të sigurisë së Evropës nga Rusia.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit