Selektori i Zvicrës, Murat Yakin e ka mbajtur një konferencë për shtyp sot para ndeshjes së nesërme me Kosovën.
Trajneri zviceran i ka treguar aspiratat e Helvetikëve në sfidën e Baselit, ndërsa thotë se kjo përballje nuk duhet të quhet më vëllazërore.
Ai ka kërkuar fitore nga lojtarët e tij për ta nisur me këmbë të mbarë kampanjën kualifikuese për Botërorin 2026.
“Kur luajtëm miqësore me Kosovën në mars të vitit 2022 flitej për një duel vëllazëror miqësor. Kjo nuk do të ndodhë më”, deklaroi fillimisht Yakin.
“Kjo javë ishte shumë interesante, veçanërisht të hënën me shumë transferime. Pastaj ne ishim në gjendje të përgatiteshim mirë jashtë vendit, lojtarët e vlerësuan këtë dhe fushat ishin gjithashtu të mira. Tani është koha ta përkthejmë këtë në ndeshje. Edhe pse grupi është i vështirë, dy ndeshjet në shtëpi kundër Kosovës dhe Sllovenisë ofrojnë një mundësi të menjëhershme për ta krijuar një pozicion të mirë fillestar. Sepse: ‘Ndeshjet në shtëpi janë për t’i fituar’”, shtoi tutje selektori i Zvicrës.