Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhevahire Izmaku, ka zhvilluar një takim me strukturat dhe simpatizantët e partisë në Shtime. Ajo ka falënderuar kryetarin e degës së PDK-së në këtë komunë, Sherif Krasniqin, i cili është gjithashtu kandidat për deputet me numrin 56.
Në një postim në rrjetet sociale, Izmaku ka theksuar se me mbështetjen e qytetarëve, ndryshimi është i mundur.
“Shtimja gjithmonë ka dëshmuar forcën dhe përkushtimin e saj! Falënderim i veçantë për kryetarin e degës, Sherif Krasniqi, kandidatin tonë për deputet me numrin 56, për angazhimin dhe vizionin e tij për një Kosovë më të mirë,” ka shkruar ajo.
Ndërkohë, në postimin e saj janë përmendur edhe Nisma Socialdemokrate dhe AAK, gjë që ka ngjallur reagime dhe paqartësi nëse bëhet fjalë për një koalicion ose gabim teknik në komunikim. Deri tani, nuk ka pasur ndonjë sqarim nga vetë Izmaku apo nga PDK.
Zgjedhjet e ardhshme pritet të sjellin një garë të fortë mes partive politike, me figura të njohura që kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.