Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhevahir Geci, ka treguar arsyen pse ka zgjedhur numrin 35 për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Geci ka shkruar në Facebook se numrin 35 e ka marrë për shkak se ka kaq përvojë pune, duke shërbyer në UÇK, TMK dhe FSK.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë dhe miq,
Sot zyrtarizoj kandidaturën time për deputet në Kuvendin e Kosovës, me numrin 35, në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky vendim është një vazhdimësi e përkushtimit tim jetësor për vendin, nga mbrojtja e lirisë deri te ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme dhe përfaqësimi dinjitoz i qytetarëve.
Pse numri 35?
Sepse simbolizon 35 vite përkushtim të pandërprerë për Kosovën – vite angazhimi dhe sakrificë për lirinë, sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Ky përkushtim vazhdon me qëllimin për të qenë pranë çdo qytetari që ka dhënë mundin apo më të dashurit për këtë vend dhe liri.
Si deputet, do të jem gjithmonë pranë çdo qytetari për të garantuar barazi dhe përfshirje në proceset shtetërore. Angazhimi im është për një Kosovë ku çdo zë dëgjohet dhe çdo qytetar përfaqësohet denjësisht. Do të jem pranë jush dhe zëri juaj në Kuvend, për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të drejtë, më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë.
Me përkushtim dhe përgjegjësi,
Xhevahir Geci
35 ✅