Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit ish-udhëheqës i luftës së UÇK-së, Xhavit Haliti ka thënë se “e konfirmon me jetë” që në “Rogner” nuk ka fjetur asnjë anëtar i Shtabit Qëndror deri në përfundimin e luftës.
Ai për “Blic”, duke folur mbi deklaratat e Rmaush Haradinajt, tha se aty janë mbajtur tri konferenca për media, derisa anëtarët e ushtarët e Shtabit Qëndror, kanë fjetur në banesa private.
“E konfirmoj me jetë që në “Rogner” nuk ka fjetur asnjë anëtar i Shtabit Qendror as i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, gjatë gjithë kohës së luftës deri në përfundim të saj. Në “Rogner” janë mbajtur tri konferenca për shtyp, të cilat i ka mbajt Jakup Krasniqi. Në Rogner ka fjetur Ahmet Krasniqi, ndërsa anëtarët, ushtarët e Shtabit Qendror dhe të Përgjithshëm kanë fjetur në banesa private.” – citohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë, Rogneri është kthyer sërish në diskutimet për pjesën e luftës në Kosovë. Kësaj radhe këtë herë debatin e ndezi kryetari i AAK-së e ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit tha se Hashim Thaçi e Rrustem Mustafa kanë qenë turistë në luftë. Sipas tij, Thaçi ka qëndruar në Rogner.
“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tre javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turista janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hin e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hijnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?.” – ka thënë Haradinaj në Tëvë1.