Gazetarja Arbana Xharra ka thënë se takimet e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani ishin me zyrtarë jo aq të rëndësishëm amerikanë dhe tha se qeveria është ngutur me shpartallimin e diplomacisë pa u përkujdesur që t’i zëvendësojë ata në mënyrë të menjëhershme.
“Kryesisht janë zyrtarë gjyqësorë, u pa edhe gjatë funeralit të Albrightit, ishte një takim aty për aty, domethënë nuk kishte ftesë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe State Department apo në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Xharra për Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Nuk patëm një takim të tillë se pse mendimi im është që Kosova dhe kjo qeveri u ngut me shpartallimin e diplomacisë pa e zëvendësuar menjëherë me emra apo pa punuar në korridore të reja, qoftë në fushën e lobimit, ne kemi relacione shumë të mira”.
Sipas Xharrës, është fatale që të ftohen relacionet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kjo më ka bërë përshtypje sepse ne dihet se çfarë relacione kemi dhe të mos harrojmë se lufta dhe kriza në Ukrainë është përmendur nga liderë botërorë, nga kryeministri i Britanisë është përmendur Kosova, është përmendur nëpër publikime të mëdha, Foreign Policy, Atlantic Council, dhe njerëzit duhet të dinë se si ta shfrytëzojnë këtë rast që të avancojnë në agjendë ndërkombëtare siç e thashë në fillim, në kohën kur të gjithë u bëmë bashkë, dhe patëm ende kemi një mundësi, dhe të shohim sepse definitivisht është fatale që ne të ftohim relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Dimë se ka komente nga më të ndryshmet se pse nuk kemi një afërsi me tash mes kryeministrit dhe me administratën amerikane, mirëpo pse nuk po ftohet edhe presidentja Osmani e cila ka pasur një simpati të madhe si një presidente grua e një shteti më të ri në Evropë, pse nuk po shihet një afërsi mes zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës [edhe tyre]”.
“U pa, është lehtë e konfirmuar se këto takime që patën ishin me zyrtarë gjyqësorë dhe jo aq shumë të rëndësishëm aktualisht në administratën Bajden”.