Ylli i kombëtares së Zvicrës dhe Sunderlandit, Granit Xhaka, ishte së fundmi i ftuar në një rubrikë të veçantë të “SportBible”.
Kjo rubrikë ka të bëjë me shijimin e ushqimeve nga vende të ndryshme të botës, shkruan “Gazeta Express”.

Gjatë videos së publikuar në YouTube, Xhakës iu kërkua të provonte dhe të vlerësonte produkte tipike britanike dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ai kur përpara tij u vendosën pjata tradicionale shqiptare.
Në një prej sfidave, mes një pureje tradicionale angleze dhe ajvarit nga Kosova, futbollisti zgjodhi pa hezitim këtë të fundit.
“Pa dyshim që zgjedh ajvarin,” u shpreh Xhaka, duke theksuar lidhjen e tij me këtë produkt tradicional.
Ai shpjegoi gjithashtu për audiencën ndërkombëtare rëndësinë e ajvarit në kuzhinën shqiptare.
“Në Kosovë, të gjithë e hamë për mëngjes. Ndodhet në çdo shtëpi, madje edhe unë vetë e konsumoj rregullisht në shtëpinë time”, tha ai.
Deklarata e tij u interpretua si një promovim i kulturës dhe traditës ushqimore shqiptare në një platformë globale, duke nxitur interes dhe reagime pozitive nga publiku.






