Granit Xhaka mund të mos i bashkohet Sunderlandit këtë verë, pasi negociatat mes klubit anglez dhe Bayer Leverkusenit kanë hasur në pengesa serioze.
Sipas të përditshmes gjermane Bild, marrëveshja mes dy klubeve për mesfushorin kosovar është larg realizimit, pavarësisht se Sunderland kishte arritur akordin personal me lojtarin.
Xhaka kishte rënë dakord për një kontratë trevjeçare me Sunderlandin, që do t’i siguronte atij pagë rreth 6 milionë euro në sezon, rreth 3 milionë më shumë se paga aktuale te Leverkuseni.
Por problemi qëndron tek tarifat e transferimit. Sunderland është i gatshëm të paguajë vetëm 10 milionë euro, ndërsa Bayer Leverkusen kërkon 20 milionë për ta liruar 32-vjeçarin.
Edhe pse disa klube nga Serie A dhe Arabia Saudite kanë shprehur interes për Xhakën, asnjëra prej tyre nuk ka qenë e gatshme të ofrojë shifrën që kërkon Leverkuseni.
Nëse marrëveshja me Sunderland dështon, Xhaka pritet të qëndrojë në Leverkusen, ku trajneri Erik Ten Hag ka thënë se llogarit në shërbimet e tij.
Me të ardhmen e portierit dhe kapitenit aktual Lukas Hradecky në dyshim, Xhaka madje mund të promovohet në kapiten të ri të skuadrës nëse qëndrimi i tij zyrtarizohet. /Telegrafi/