Mesfushori shqiptar Granit Xhaka mund të jetë lëvizja e radhës e bujshme drejt Arabisë Saudite.
Sipas “Foot Mercato”, reprezentuesi shqiptar i Zvicrës ka hyrë në ‘radarin’ e klubit Neom SC, skuadër kjo që sezonin e kaluar siguroi ngjitjen në Saudi Professional League.
Skuadra saudite, e drejtuar nga Christophe Galtier, ka nisur një fushatë të fuqishme përforcimesh dhe ka siguruar tashmë firmat e Alexandre Lacazette dhe portierit Marcin Bulka. Emri i radhës në listën e dëshirave është pikërisht Xhaka.
Madje, siç raportohet, Neom SC është duke përgatitur një superofertë për ish-futbollistin e Baselit, Borussia Monchengladbach dhe Arsenal.
Burime pranë klubit raportojnë se janë zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e 32-vjeçarit, i cili pritet të largohet nga Bayer Leverkusen gjatë kësaj vere, pas një sezoni të suksesshëm në Bundesliga.
Nëse do të realizohet ky transferim, atëherë Xhaka do të ishte një tjetër transferim i rëndësishëm nga futbolli evropian drejt kampionatit saudit, ligë kjo që po tërheq gjithnjë e më shumë yje të njohur të futbollit botëror.