Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese që u jep partive politike një afat 12-ditor për të zgjedhur një nënkryetar nga Lista Serbe. Në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Xhaferi tha se LDK është në pritje të publikimit të plotë të aktgjykimit para se të marrë një qëndrim përfundimtar.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ende nuk është i plotë. Ne si LDK presim që të publikohet i plotë, e pastaj do ta analizojmë dhe do të marrim një vendim në përputhje me situatën aktuale,” deklaroi ai.
Sipas tij, Kosova ndodhet në një situatë të rëndë politike që po reflekton edhe në fusha të tjera si ekonomia dhe zhvillimi institucional.
“Jemi përballë një situate të rëndë politike, e cila reflekton në çdo aspekt tjetër – ekonomik, zhvillimor dhe institucional. Kjo situatë është e papranueshme dhe na kthen pas katër vitesh,” theksoi Xhaferi.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë përgjegjëse për ngërçin aktual politik dhe bllokadën në Kuvendin e Kosovës.
“Kemi një bllokadë të punës në Kuvendin e Kosovës. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë respektuar nga LVV. Ky ngërç politik në të cilin jemi është krejtësisht pasojë e mosveprimit të VV-së, ndoshta sepse nuk e ka marrë atë që ka dashur,” u shpreh deputeti i LDK-së.
Xhaferi nënvizoi se situata e krijuar nuk është vetëm krizë e institucioneve, por një krizë që dëmton funksionimin demokratik të shtetit dhe përparimin e mëtejshëm të vendit.