Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk do stabilitet e as institucione, por sipas tij, deputeti i VV-së do krizë, pasi siç thotë Xhaferi, Kurti është rritur në krizë.
Në “Edicionin Special” të Klan Kosovës, Xhaferi po ashtu tha se Kurti nuk është në gjendje të qeverisë, përderisa nuk arrinë t’i sigurojë 61 numra për të formuar Qeverinë.
“Kur me 48 deputetë, nuk është në gjendje me zgjidh një shumicë të thjeshtë, pra me 61 numra, pra një qeveri të tillë, atëherë ky nuk është në gjendje as me qeverisë me vendin. Pra Albin Kurti nuk do stabilitet, nuk do institucione, realisht ai do krizë, sepse në krizë është rritë, nuk është rritë ndonjëherë në ndërtim të institucione, realisht këtë e ka treguar edhe gjatë qeverisjes së vet”, u shpreh ai.
Tutje, deputeti foli edhe rreth deklaratës së deputetit Kurti, i cili tha se nuk po e kupton LDK-në.
Sipas Xhaferit, Kurti ka pasur hatërmbetje me Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga koha e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
“Realisht unë kujtoj që ajo që e karakterizon mendësinë politike të z.Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, është problemi politik në Kosovë, ndërsa sa i përket me LDK-në, unë kujtoj që ka pasur një hatërmbetje shumë të gjatë më LDK-në, gjithmonë e ka thumbuar LDK-në, kurrë nuk është pajtuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që nga koha e presidentit Ibrahim Rugova e në vazhdim”.
Në këtë kuptim, unë kisha thënë që LDK-ja është një ndër forcat e vetme politike, duke u bashkuar më vonë edhe partitë e tjera, që themeloi shtetin. Unë mendoj që LDK-ja ka bërë shumë për këtë vend, ndërsa z.Kurti gjithmonë e ka sulmuar Lidhjen Demokratike dhe njerëzit e saj”, u shpreh ai.






