Ish oficeri i UÇK-së, Xhafer Preteni, ka publikuar disa foto me Arian Tahirin dhe babain e tij, Enverin, sa ishin në TMK së bashku, kohë kur tashmë kandidati për kryetar komune ishte fëmijë.
Preteni ka vlerësuar lartë familjen Tahiri, duke thënë se të njohur për kontributin atdhetar, shkruan VeriuInfo.
Postimi:
Ka njerëz që i njeh prej fëmijërisë dhe sheh se si vlerat, edukata e respekti i tyre mbesin të njëjta edhe kur rriten.
Njëri prej tyre është Arian Tahiri.
Familjen time dhe të Arian Tahirit nuk i lidh vetëm miqësia, por një rrugëtim i përbashkët me sakrifica, përjetime e kujtime që s’harrohen kurrë.
Ariani është djali i bashkëluftëtarit dhe mikut tim të çmuar, #Enver_Tahirit, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, oficerit në pension të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, dhe djali i Nazmije Mustafa – Tahiri , veterane e arsimit që për më shumë se katër dekada ka edukuar breza të rinj në Shalë të Bajgorës.
E njoh Arianin që kur ishte fëmijë dhe, siç thotë populli, e kam parë duke u rritur para syve të mi.
Gjithmonë i zgjuar, i edukuar, i sjellshëm dhe me respekt të veçantë për të gjithë e veçanërisht për shokët e babait të tij.
Qysh në moshë të vogël, tregonte interes për historinë e luftës sonë çlirimtare, për betejat e lavdishme në dhe për heroizmin e dëshmorëve.
Gjatë shëtitjeve e ndejave, shpesh më lutej t’i tregoja për atë periudhë të lavdishme, për të cilën Enveri, nga modestia e tij, rrallë i tregonte.
Ky interesim i hershëm e ka formuar Arianin si një të ri që nuk harron rrënjët dhe që e kupton mirë sakrificën e popullit tonë.
Arian Tahiri e respekton të kaluarën, prandaj i ka të garantuara sukseset e së ardhmes.
Arian Tahiri, njëri prej nesh që punon për ne!






