Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka thënë të mërkurën se Real Madrid është favorit për të për në ndeshjen e parë gjysmëfinale për “Copa del Rey”.
Dy rivalët e vjetër përballen në “Santiago Bernabeu” të enjten dhe katalanasit do të paraqiten pa treshen Pedri, Ousmane Dembele dhe Robert Lewandowski, të cilët janë të lënduar. Në La Liga Barcelona ka një epërsi prej shtatë pikësh ndaj Real Madridit, por në ndeshjet e fundit ka pësuar dy humbje: u eliminua nga Manchester United në Europa league dhe më pas u mposht nga Almeria në kampionatin vendor. “Është një Real Madrid i fortë, një skuadër që ka fituar trofe kohët e fundit, ndërsa ne jemi një ekip në proces të ndërtimit”, ka thënë Xavi në një konferencë për shtyp. “Real Madridi po synon trofe në Evropë, mposhti Liverpoolin në terren të vet, ata janë favoritë, të jem i sinqertë”.