Pasi në rrjetet sociale nisën të qarkullonin thashetheme se ai po përdorte inteligjencën artificiale për të mbushur publikun në koncertet e tij, aktori dhe muzikanti i famshëm Will Smith ka vendosur të reagojë – në mënyrën më origjinale të mundshme.
Gjithçka filloi në fillim të gushtit, kur Smith publikoi në Instagram një video nga turneu i tij Based on a True Story. Në pamjet ku ai performonte këngën You Can Make It, shumë përdorues vunë re se diçka dukej e çuditshme dhe shpejt nisën akuzat se publiku në video ishte gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Madje në debat u përfshi edhe grupi legjendar Green Day, të cilët në profilin e tyre ndanë një video nga koncerti i tyre me mbishkrimin: “Ne nuk kemi nevojë për A.I. për publikun tonë.”
Më 30 gusht, Will Smith vendosi t’i japë fund thashethemeve. Ai publikoi një video të re, ku shihet duke iu drejtuar publikut me fjalët: “Do ta ndezim këtë vend! A jeni gati?”. Pas një numërimi të shkurtër, kamera kthehet drejt audiencës – por aty shfaqen krijesa të çuditshme, të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, në vend të njerëzve.
Videoja është realizuar nga artisti dixhital Tyler Bernabe, i njohur si jboogxcreative, i cili njihet për përdorimin e mediave të përziera, A.I.-së dhe efekteve vizuale. Smith e shoqëroi postimin me përshkrimin: “Publiku sonte ishte i çmendur!!”, duke ironizuar kështu akuzat që iu bënë më herët.
Reagimet nuk vonuan. Vetë autori i videos shkroi me humor: “Ajo publik nuk u përmbajt fare.” Një ndjekës tjetër komentoi: “Kjo duhet të jetë shaka.” Edhe miqtë e njohur të Smith reaguan – muzikanti Questlove tha: “Kjo më trembi për një moment”, ndërsa kolegia e tij nga seriali Princi i Bel-Airit, Tatyana Ali, i dha mbështetje. Shumë fansa e përgëzuan aktorin për mënyrën kreative dhe me humor se si u përball me akuzat dhe “hejterët”.