Arsene Wenger i është kundërpërgjigjur komenteve të Jurgen Klopp se Kupa e Botës për Klube është “ideja më e keqe ndonjëherë”, duke thënë se të gjithë të përfshirët – klubet, lojtarët dhe trajnerët – kanë mbështetur një “garë fantastike”.
Ish-trajneri i Liverpoolit, Klopp, e kishte kritikuar ashpër turneun në qershor, pasi FIFA vendosi ta zhvendoste atë në verë nga ky vit dhe ta zgjeronte atë në 32 ekipe.
Por Wenger, ish-trajneri i Arsenalit dhe tani kreu i zhvillimit global të futbollit në FIFA, këmbëngul se turneu është pritur mirë nga të gjithë të përfshirët.
“Do t’ju jap një përgjigje shumë të mërzitshme për një pyetje shumë interesante. Secili ka të drejtë të ketë mendimin e tij, por unë nuk pajtohem aspak me Klopp”, ka thënë fillimisht Ëenger.
“Mendoj se Kupa e Botës për Klube është e nevojshme. Nëse pyet ndonjë klub që ka marrë pjesë këtu, 100 për qind e tyre do të të thoshin se do të donin të merrnin pjesë përsëri. Kjo është prova më e mirë e asaj që klubet mendojnë për këtë garë”.
“Dhe pyetja e fundit është – a u pëlqen tifozëve? Ne mendojmë se parashikimet për pjesëmarrje ishin shumë të ulëta, dhe në realitet kishte shumë më tepër spektatorë. Përgjigja është e vetëkuptueshme”, përfundoi francezi.
Ndryshe, finalja e Kupës së Botës për Klube midis Chelseat dhe PSG-së do të luhet të dielën në stadiumin MetLife në New Jersey.