![VV: Zyrtarë të LDK-së dhe PDK-së shkuan tek shtëpitë e asamblistëve në mesnatë, iu ofruan shuma marramendëse VV: Zyrtarë të LDK-së dhe PDK-së shkuan tek shtëpitë e asamblistëve në mesnatë, iu ofruan shuma marramendëse](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/05/auto_LEVIZJA-VETEVENDOSJE-VV1567671185.jpg)
Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka reaguar pas shkarkimit të Fehmi Kupinës nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës.
Në një njoftim për media, kjo parti ka deklaruar se zyrtarë të lartë të LDK-së dhe PDK-së kanë shkuar në shtëpitë e asamblistëve të tjerë duke iu ofruar para, banesa e “shpërblime” tjera, në këmbim për t’i “blerë asamblistë të partive opozitare.
“Shumë zyrtarë të strukturave të larta të LDK e PDK janë angazhuar gjatë këtyre ditëve për të blerë asamblistë të partive opozitare. Nuk kanë kursyer asnjë mjet. Shumë asamblistë janë ankuar se zyrtarë të këtyre dy partive u kanë shkuar në shtëpi edhe në mesnatë, duke iu bërë presion e duke iu bërë oferta me shuma marramendëse”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Ata kanë kërkuar nga MAPL-ja që ta anulojë vendimin për shkarkimin e Kupinës, të cilin e kanë quajtur “maskaradë” dhe të “jashtëligjshëm”.
Me largimin e Kupinës dhe aderimin e asamblistes Berna Saraçi nga VV-ja në PDK, pushteti komunal i Prishtinës ia ka pamundësuar krijimin e kuorumit opozitës për marrje vendimesh.