74 mijë vota i kërkoi – fjalëpërfjalëshëm – Albin Kurti në fushatë zgjedhore drejtuar diasporës.
Mbi diasporën Lëvizja Vetëvendosje pretendon kaherë ‘monopol’ si afinitet përzgjedhës politik i tyre.
Rezultatet e fundit megjithatë, e rrëzojnë.
Qe qysh…
Në votimet në konsulata dhe ambasada trendi ishte tejet i fortë për Vetëvendosjen duke shkuar mbi 80%.
Gëzimi prematur i Vetëvendosjes bëri që të shkarkohen deklarime të llojit “diaspora, me ka krejt VV” (Fitore Pacolli).
12 mijë nga 15 mijë, po, i mori Vetëvendosja.
Votimet me postë – aty ku janë mbi 60 mijë vota, së paku si zarfa të vlerësuar – kthyen tryezën mbrapsht mbi pretendimet e VV-së.
Ekskluziviteti i deklaruar i VV-së veçse ka nisur të shembet.
Arsyeja? Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në rezultatet e fundit të përditësuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor numrat e diasporës me postë janë diç më shumë se trendit vendor.
Kjo me gati se gjysmën e pakove me zarfa të dërguara nga diaspora, përkatësisht 47% e kutive me vota të procesuara.
Vetëvendosja po qëndron me 51% e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me afro 30% – ndërsa PDK e AAK po performojnë ndjeshëm dobët.
Vetëvendosja kishte marrë 37 mijë vota nga diaspora me postë në vitin 2021, për çka Kurti në fushatë me mërgimtarë u kërkonte “dyfish” sepse, sipas tij, “paramendoni se çka bëjmë ne ju m’e na i dhanë 74 mijë?”.
Me këtë trend aktual – sipas përllogaritjeve të Shenoll Muharremit, pyetur nga Nacionale – Vetëvendosja mund të shkojë më së largu 44 mjë vota.
Sigurisht, kjo nëse s’ndërron asgjë.
Qe qysh do të dukej – po qe se mbetet ky trend.

Kënaqja e parakohshme e VV-së me votat në konsulata
Tre ose katër ditë më parë Vetëvendosja shkarkoi një kënaqje të madhe të parakohshme me votat nëpër konsulata.
Shembull – Londër: nga 491 vota del që Vetëvendosja t’i ketë marrë 425.
Sekuenca të tilla votimi bënë që Vetëvendosje ta jepte veten për kampione të votës së diasporës.
“Me ka krejt”, shkroi Fitore Pacolli e Vetëvendosjes duke i dhënë konkluzion krejt votës së jashtme bazuar në ato vota në konsulata.
Gëzimin e parakohshëm e kanalizoi në sulme ndaj partive politike, Fitore Pacolli, duke shkuar në trajta si “tutna s’kanë me i lanë mërgimtarët m’u kthy në Kosovë”.
Tjerë si Mefail Bajqinovci shkruar gjoja se partitë politike kanë “ofenduar me lloj lloj epiteti kundër mërgatës, zi e terr pa ndal” dhe se vota për Vetëvendosjen është shpagimi.
Anash deklarimeve politike, Vetëvendosja para-matet të jetë diku rreth 65% të votës së përgjithsme të diasporës, bazuar në atë çka kanë matur Exit Poll-et ditën e zgjedhjeve kur kanë anketuar votues të diasporës që kanë ardhur në Kosovë për të votuar.
Kjo është projektuar të jetë edhe përkthimi i votës së përgjitshme të diasporës.
Me 65% votë të diasporës Vetëvendosja do të qëndronte në 48 deputetë.
Megjithatë, statisticientë e njohës të shifrave kanë projektuar të gjitha skenaret e mundshme të votës së diasporës dhe në sa mandate shtesë (ose jo) i përkthehen Vetëvendosjes.
Matjet e Shenoll Muharremit:
LVV: Vota 40% / Mandate 45
LVV: Vota 50% / Mandate 47
LVV: Vota 60% / Mandate 48
LVV: Vota 65% / Mandate 48
LVV: Vota 70% / Mandate 49
LVV: Vota 80% / Mandate 50