Numërimi i votave të diasporës ka sjellë lëvizje në shpërndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës, duke i siguruar Lëvizjes Vetëvendosje një mandat shtesë, në dëm të Partisë Demokratike të Kosovës. Megjithatë, rezultati mbetet jo përfundimtar, sipas një analize të detajuar nga Eugen Cakolli i Institutit Demokratik të Kosovës
Cakolli ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e 92 kutive të votimit me postë, që përbëjnë rreth 26,500 vota. Pas përfshirjes së këtyre votave në rezultatin kumulativ, projeksioni aktual i mandateve ndryshon: LVV ngjitet në 57 mandate, ndërsa PDK zbret në 22 mandate.
Sipas Cakollit, ky ndryshim vjen si pasojë e dy faktorëve kryesorë në votat e numëruara deri tani nga diaspora:
- Performanca e lartë e LVV-së, e cila ka marrë rreth 72% të këtyre votave.
- Performanca e dobët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila në votat me postë ka regjistruar rezultat gati trefish më të ulët krahasuar me rezultatin e saj të përgjithshëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pavarësisht këtij ndryshimi, Cakolli ka thënë se mandati i 57-të i LVV-së nuk është ende i sigurt, për shkak të diferencës minimale.
“Mandati i 57-të i LVV-së është fituar me diferencë minimale, meqenëse aktualisht, koeficienti i LVV-së është vetëm rreth 4 pikë më i lartë se ai i PDK-së, që në terma realë përkthehet në afërsisht ~160 vota diferencë në nivel kombëtar për atë mandat – një diferencë që statistikisht ende nuk e konsolidon përfundimisht atë ulëse për LVV-në.” – tha ai.
Ai gjithashtu tha se ndryshime të mëtejshme në mandate janë të mundshme vetëm nëse votat e mbetura devijojnë ndjeshëm nga trendi i deritanishëm. Ai paraqet dy skenarë kryesorë, ndonëse jo-definitivë:
• LVV mund të kalojë në 58 mandate vetëm nëse arrin rreth 80%* të votave të mbetura me postë, ose edhe më pak pikë të përqindjes, në rast se LDK bie nën ~8%.
• PDK mund të rikthehet në 23 mandate vetëm nëse shënon një përmirësim të dukshëm të performancës (mbi ~13-14%), dhe njëkohësisht LVV ose LDK performojnë më dobët se deri tani.






