Vetëm 20 mijë votues jashtë Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës dhe në hapësirat shtesë jashtë tyre.
Ky numër është larg planifikimeve fillestare të bëra nga KQZ.
Për të votuar në përfaqësi diplomatike, KQZ kishte planifikuar të hapë 50 përfaqësi diplomatike me 66 vendvotime dhe të regjistrojë deri në 63 mijë persona për të votuar në ambiente shtetërore.
Sikur kjo të mos mjaftonte, KQZ kishte mbështetur edhe propozimin e MPJD-së së Donika Gërvallës që votimi të organizohet edhe jashtë përfaqësive diplomatike, në 10 qendra votimi me gjithsej 43 vendvotime dhe ku mund të votonin 41 mijë votues.
Numri i vogël i votuesve të regjistruar për të votuar fizikisht jashtë Kosovës, do të detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të rishqyrtojë vendimin e datës 26 nëntor.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ndryshimi i këtij vendit pritet të ndodhë gjatë kësaj jave.
Një anëtar i KQZ-së në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës së pritjet kanë qenë që një numër më i madh i mërgimtarëve të regjistrohet.
“Për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar nga diaspora, KQZ-ja do të marrë vendim që të mos ketë votim në shumicën e përfaqësive diplomatike. Vendimi pritet të merret gjatë javës”, ka thënë anëtari i KQZ-së.
Pikërisht regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës i ka dhënë fund propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje, që prej 10 ditësh është hedhur në një fushatë të ashpër ndaj ish-partive opozitare (PDK, LDK dhe AAK) duke i akuzuar dhe linçuar publikisht se janë kundër votimit të diasporës.
Ndonëse përfaqësuesi e këtyre partive opozitare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbështetur që procesi i votimit fizik jashtë vendit të mbahet siç parashihet me ligj vetëm në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, mbrojtja e ligjshmërisë nuk i ka bërë përshtypje partisë së Albin Kurtit, përfaqësuesit e të cilit kanë hedhur akuza të rënda ndaj partive ish-opozitare se po duan bllokimin e diasporës duke mos lejuar që votimi të mbahet edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike.
Nën presionin e akuzave publike, KQZ, pa votat e anëtarëve të ish-opozitës, në 26 nëntor ka marrë vendim që votimi të mbahet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, por edhe në 10 qendra të votimit që do të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga kandidatja për deputete në listën e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla – Shëarz.
Gazeta Nacionale ka raportuar se ajo që e bën edhe më shqetësues vendimin është fakti se shumica e këtyre qendrave do të vendosen në ambiente private, përfshirë restorante, lokale dhe hapësira të tjera, të cilat nuk janë të përshtatshme dhe larg standardeve shtetërore.
Kolegji i Gjykatës Supreme dje e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me caktimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke vërtetuar në plotësi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.3/2025, të datës 30 nëntor 2025.
PZAP kishte pranuar ankesën e parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kishte ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të 26 nëntorit, i cili përcaktonte qendrat e votimit jashtë vendit. Me këtë vendim, PZAP përcaktoi që për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, qendrat e votimit jashtë Kosovës të jenë vetëm në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre.
LVV kishte kontestuar këtë vendim në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore dhe duke kërkuar që vendimi i PZAP-së të anulohej. Por pas shqyrtimit të dokumentacionit, Gjykata Supreme konstatoi se ankesa e LVV-së ishte e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjin.






