“Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende të zhvilloj ato komunikime, por po e bëjmë një plan për këtë gjë. I kemi më shumë se dhjetë ditë”.
Kështu tha në fillim javë.
Por kryeministri në detyrë, Albin Kurti ende nuk pati takim me liderët e partive të opozitës.
Nga partia e mandatarit të parë, Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje deri të enjten nuk u bë asgjë publike për hapat drejt formimit të Qeverisë.
Madje detaje nuk dhanë as nga zyra e Lëvizjes.
“Nga e shtuna e kaluar jemi në fazën e rrjedhjes së afatit dy javor për formimin e Qeverisë dhe përbrenda këtij afati sigurisht se do të bëhen të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. Ndërkaq, afat i fundit siç dihet është 26 tetori. Mes këtyre ditëve e deri në këtë datë sigurisht se do të merren vesh të gjitha detajet e rezultatet në kuadër të përpjekjeve për formim të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Tash për tash nuk mund të ndajmë detaje nga këto dinamika”, ka thënë zëdhënsi i VV-së, Arlind Manxhuka.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri thotë se nëse pranojnë ftesë për takim do të jetë vendim i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku të shqyrtojë për pjesëmarrje apo jo.
Por Guri thotë se një gjë është e qartë, nuk kanë ndërruar qëndrime për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.
Sipas tij, LDK-ja është e gatshme për zgjedhje të reja.
Njejtë si këta, të gatshëm për zgjedhje janë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ish nënkryetari i këtij subjekti politik, Xhavit Haliti thotë se as PDK-ja nuk duhet ti ofroj bashkëpunim Vetëvendosjes.
LDK nuk do, partitë tjera jo. Si ka me bë qeverinë. Nëse s’mundet me bë qeverinë, atëherë duhet me shkua në zgjedhje. Mendoj se PDK-ja më mirë e ka më shkuar në zgjedhje sesa me u “përly” me një çështje në qoftë se ka të bëjë edhe me pozitën e kryeministrit në variantin që rrezikohet paqja politike në Kosovë. Paqja politike po u rreziku është rrezik për Kosovën. Ma mirë është me shkua në zgjedhje të përgjithshme se me bë “gjysmë qeverie”, ose me bë qeverinë që e prish paqen politike”, ka thënë Haliti në Tëvë1.
Për të formuar Qeverinë, Albin Kurtit i duhet mbështetja e 61 deputetëve.
Nga fitorja e 9 shkurtit, Grupi parlamentar i Vetëvendosjes i ka 48 deputetë në ulëset e Kuvendit.