3.5 C
New York
Friday, January 9, 2026

Buy now

VV nuk jep sinjal, Guxo insiston: A do të propozohet sërish Osmani për presidente?

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka qartësuar pozicionin rreth çështjes së presidentit të ri.

Ndonëse ka marrë mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Albin Kurti dhe partia e tij nuk kanë dhënë sinjale se do ta përkrahin Vjosa Osmanin edhe për një mandat. Në anën tjetër, partia Guxo, e cila është themeluar nga Osmani, ka lënë të kuptohet se janë që Osmanit t`i jepet edhe një mandat.

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinov, nuk ka dashur të flas për këtë çështje.

Në një prononcim për RTV21, ai ka thënë se nuk e di se si do të rrjedhin gjerat deri atëherë.

Sipas tij, primare është që të konstatohet Kuvendi dhe të zgjidhet Qeveria.

Kjo është faza e tretë. Faza e parë është konstituimi i Kuvendit, pastaj formimi i Qeverisë Kurti 3. Faza e tretë do të jetë në muajin mars ose prill dhe do të ketë të bëjë me çështjen e presidentit. Deri në atë fazë nuk mund të them asgjë, sepse është hipotetike të jap ndonjë deklaratë kur nuk e dimë se si do të rrjedhin gjërat. E rëndësishme është themelimi i institucioneve”, ka thënë Bajqinovci.

As kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, i cili është njeri nga drejtuesit e partisë Guxo nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të qartë për këtë çështje.

Kur është pyetur se a do të jetë Vjosa Osmani presidente, Peci ka thënë se çështja është në duart e Osmanit dhe Kurtit.

Çështja përcaktohet në takimin Vjosa – Albini dhe gjithçka qartësohet”, ka thënë Peci në emisionin DPT te Fidani.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar partitë opozitare se çka do të ndodhë nëse presidenti nuk zgjidhet.

Çështja e presidentit, ajo që dihet me saktësi, me datën 4 mars, në rast se Kuvendi i Kosovës nuk e zgjedh presidentin/presidenten, vendi shkon në zgjedhje me automatizëm. Ky nuk është kërcënim, veç po konstatoj në aspektin kushtetues dhe ligjor. Nuk është kërcënim. Kuvendi i Kosovës duhet me zgjedh presidentin ma së largu me datën 4 mars. Në rast se më 5 mars, Kosova s’ka president të votuar në Kuvend, me automatizëm, shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.“, ka thënë Peci.

Kurse, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se Kurti nuk ka shumë dobi për të rizgjedhur Osmanin presidente.

Në një intervistë për gazetën Express, ai ka thënë se nuk beson që Kurti rrezikon zgjedhjet e reja për Osmanin.

Siç e thashë, kjo është çështje pur politikë dhe çdo gjë është e mundur. Nuk besoj se zoti Kurti rrezikon zgjedhje të reja, meqë ka arritur kufijtë e votës së lirë dhe, sado i madh që të jetë ai numër në të ardhmen, asnjëherë nuk mund t’i ofrojë atij dhe askujt komoditetin e vendosjes vetëm për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Edhe fitorja e tij e fundit, me të gjitha manipulimet financiare, është arritur në koalicion me të tjerët”, është shprehur Hasani.

Të ngjashme

Të fundit