Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime ka reaguar ndaj një video që iu publikua në media, kryetarit Qemajl Aliut i cili shihet i shoqëruar me dy gra në një ndej. Vetëvendosje e ka quajtur videon të manipuluar, me qëllim të uljes së imazhit të kryetarit, i cili po synon edhe një mandat në krye të Shtimes.
Në reagimin e tyre thuhet se prezent në atë ndej, kanë qenë miq e familjare të Aliut përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Redina Rredhi.
“Këto sulme qartazi janë rezultat i mungesës së argumenteve dhe humbjes së debatit publik që qarqet opozitare e kanë pësuar përballë qeverisjes së mirë lokale”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Gjatë kohës kur mbrëmë në RTV Dukagjini po transmetohej përballja e parë zgjedhore për Shtimen, disa faqe dhe media të dalura së fundmi në sipërfaqe kanë publikuar një video të manipuluar, me qëllim të përbaltjes së imazhit të Kryetarit Qemajl Aliut, fituesit të zgjedhjeve të 12 tetorit nga Lëvizja VETËVENDOSJE, Dr. Qemajl Aliu, i cili në atë hapësirë ishte së bashku me miq, bashkëpunëtorë e familjarë, madje edhe me bashkëshorten e tij, znj. Rediana Rredhi.
Këto sulme qartazi janë rezultat i mungesës së argumenteve dhe humbjes së debatit publik që qarqet opozitare e kanë pësuar përballë qeverisjes së mirë lokale. Në pamundësi për të ofruar alternativa reale, ato kanë kaluar në shpifje të ulëta përmes montimeve dhe insinuatave të tilla. Këta njerëz që tashmë e dinë se e kanë humbur betejën dhe e shohin veten jashtë garës, po përpiqen në mënyrë të dëshpëruar ta manipulojnë opinionin publik.
Ata që sot përdorin mjete të tilla të ulëta, tregojnë vetëm fytyrën e tyre të vërtetë: korrupsionin, skandalet dhe dështimet e bujshme që i kanë shoqëruar dy dekada me radhë.
Ne ju bëjmë me dije se do të ushtrojmë padi ndaj të gjitha faqeve dhe individëve në rrjete sociale që shpërndajnë këtë video të manipuluar, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin e Kryetarit dhe familjes së tij. Kjo nuk është hera e parë që tentohet të cenohet integriteti i Kryetarit Aliu, por askush nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë të njollosë dinjitetin dhe pastërtinë që e ka karakterizuar tërë mandatin qeverisës. Me publikime të montuara në ndeja të tilla me familjarë dhe bashkaktivistë, nuk mund të lëkundet bindja e qytetarëve që e kanë përjetuar transformimin e Komunës sonë.