Lëvizja Vetëvendosje që drejtohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zgjedhur një rezolutë të parlamentit evropian ta kornizojë e ta vendos në shërbim të propagandës partiake se gjatë qeverisjes Kurti II ka ndryshuar gjendja me luftën kundër korrupsionit. Si matje për këtë e kanë ofruar faktin se në këtë rezolutë të Parlamentit Evropian për Kosovën, fjala korrupsion përmendet vetëm pesë herë. Megjithatë kjo është vetëm njëra anë e të vërtetës që partia në pushtet ka vendosur ta përdor në komunikimin me votuesit e saj.
Çfarë realisht është kjo rezolutë dhe cila është pjesa tjetër e të vërtetës
Rezoluta e Parlamentit Evropian e miratuar më 6 korrik 2022, dhe është një rezolutë për raportin e Komisionit Evropian për vitin 2021. Nëkëtë Raport të Komisionit për Kosovën fjala korrupsion përmendet plot 95 herë dhe atë disa herë në kuptimin negativ të fjalës, duke vënë në theks problemin me luftimin e kësaj dukurie në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
Në një prej pjesëve të këtij Raporti të Komisionit Evropian tregohet se Kosova është ende në një fazë të hershme të luftës kundër korrupsionit edhe pse ekziston një nivel përgatitjeje.
“Lufta kundër korrupsionit në Kosovë është në një fazë të hershme/ka një nivel përgatitjeje”, është një prej fjalive të këtij raporti.
Tutje tek ky raport për vitin 2021 thuhet se shumica e rekomandimeve të vitit 2020 mbeten të vlefshme, duke theksuar se problemi kryesor është moszbatimi i legjislacionit ekzistues, derisa potencojnë se korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një nga çështjet shqetësuese dhe serioze.
“Shumica e rekomandimeve të raportit të vitit 2020 mbeten të vlefshme, me problem kryesor ende moszbatimin e legjislacionit ekzistues. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze. Pavarësisht përpjekjeve të bëra, ekziston nevoja për vullnet të fortë dhe të vazhdueshëm politik për të trajtuar në mënyrë efektive rreziqet e korrupsionit sistemik, si dhe një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në një fjali tjetër të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2021, raporton Express.
Megjithatë partia në pushtet e ka sjellë të shkoqitur Rezolutën e Parlamentit Evropian, në të cilin fjala korrupsion përmendet vetëm pesë herë, por pa treguar se është një Rezolutë për Raportin e Komisionit Evropian ku fjala korrupsion përmendet plotë 95 herë.
Sipas partisë që drejton Kurti, Kosova asnjëherë s’ka pasur imazh më të mirë e që sipas tyre vjen si rezultat i qasjes së Qeverisë ndaj korrupsionit.
“Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur imazh më të mirë që vjen si rezultat direkt i qasjes së re për të ndërruar kursin e qeverisjes me vendin. Lufta ndaj krimit e korrupsionit dhe demokratizimi institucional tashmë po evidentohen në çdo raport ndërkombëtar. Raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën thekson se Republika e Kosovës ka bërë përparim thelbësor në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë raport fjala ‘’korrupsion’’ përmendët vetëm 5 herë dhe atë nën konotacionin pozitiv të luftës ndaj këtij fenomeni”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Përveç çështjes së korrupsionit, figura të partisë në pushtet të njëjtën taktikë leximi e kanë përdorur edhe për fushën e medias dhe gazetarëve.
Deputetja Fitore Pacolli në Kuvendin e Kosovës teksa citonte këtë raport në foltoren e Kuvendit të Kosovës, kërkonte që Qeveria të merrte masa, meqë dokumenti i Parlamentit Evropian theksonte se kohëve të fundit është vërejtur një investim në shkallë të gjerë tek mediat private.
Por deputetja Pacolli s’ka folur fare për pjesën ku në Rezolutën e Parlamentit Evropian përmendet edhe fakti se media është shtylla kryesore e demokracisë dhe si e tillë duhet të mbrohet nga presioni politik.
Gjithashtu Rezoluta dënon presionin politik dhe thekson se përdorimi i gjuhës shpifëse ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe shpreh shqetësim në mënyrë specifike kur zyrtarët dhe figurat publike përdorim gjuhë që stigmatizon mediat.
“Nënvizon se media e lirë është një nga shtyllat thelbësore të demokracisë dhe se gazetarët duhet të mbrohen nga presioni politik; dënon presionin politik të cilit i nënshtrohen dhe përdorimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike për t’i frikësuar ata, gjë që çon edhe në autocensurë; thekson se përdorimi i gjuhës shpifëse ndaj gazetarëve është i papranueshëm; paralajmëron kundër çdo deklarate që stigmatizon mediat, veçanërisht nga zyrtarët dhe figurat publike të cilët duhet të japin shembull”, thuhet në pikën 37 të Rezolutës së Parlamentit Evropian.
Pjesa për mediat tek Rezoluta e Parlamentit Evropian
Këtë pjesë deputetja Pacolli s’e ka përmendur fare gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës, meqë kanë qenë pikërisht bashkëpartiakë të saj edhe në Qeveri, e zyrtarë në Presidencë, për të cilët organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve kishin kërkuar që të ndalin gjuhën denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave.
Një lexim të tillë të raporteve në shërbim të propagandës partiake e politike e bën edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili edhe përkundër faktit që Kosova gjendet në mes të një krize me çmime dhe shkallë inflacioni që ka kaluar 14 %, vazhdon të përmend rritjen ekonomike të vitit 2021 që ka qenë mbi 10 %.