100 ditët e kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës kanë qenë minimale për Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, të cilët gjatë së enjtes në një konferencë për medie kanë listuar “punët” e kryera të tij në kryeqytet.
Në pankartën e vendosur para objektit të komunës së Prishtinës, janë udhëtimet në Londër, pushime në hotele, ndalja e subvencionimit për Covid-19, shtrenjtimi i TAXI-ve e disa të tjera.
Triera Kasumi Berisha këshilltare komunale e Listës Guxo, bëri një rezyme të punës 100 ditorë të kryetarit Përparim Rama.
“Do të kishim shumë dëshirë që këtu sot të analizonim ndonjë projekt apo punë konkrete filluar apo të realizuar. E tëra çfarë kemi gjetur i kemi të listuar mbrapa nesh. Jemi dëshmitarë të premtimeve të zotit Rama që i ka bërë gjatë fushatës. Një program me shumë vizatime. Këto premtime janë hiq më pak se 206, më së shumti që ka bërë ndonjë kryetar”, tha ajo.
“Përparim Rama për 100 ditë përveç që akoma nuk ka kompletuar kabinetin e tij ai nuk ka emëruar aksionarët të ndërmarrjeve publike. Trafiku Urban me shumë probleme për të cilat duket se vetëm kryetari nuk është i njoftuar”, tha ajo.
E shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, tha se pritshmeritë janë zbehur edhe nga qytetarët të cilët sipas tij kanë rënë pre e programit iluzionar të Përparim Ramës.
“Siç mund ta shihni gati çdo lagje e qytetit ka aksione e protesta e që lidhen kryekëput me mos punën e kryetarit. Ne do të përkrahim çdo projekt që është në të mirë që qytetarëve dhe nuk do jemi bllokues, por është zhgënjyes se nuk po bëhet asgjë. Subjekti i tij është në koalicion me PDK-në dhe Ismailin. Ai ka bërë qindra premtime dhe rezultati është i njëjtë edhe për partinë e tij. Qytetarët e kanë provuar edhe më herët koalicionin LDK-PDK dhe është dëshmuar se është vetëm për interesat e tyre të ngushta dhe jo koalicion për qytetarët”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kur u bën 100 ditë dhe asgjë nuk po funksionon, qytetarët nuk kanë parë asnjë projekt. Sveçla ka shtuar se Prishtina nuk përparon me Përparimin. /EO/