Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi që vendimi për ndërprerjen e punimeve te “Rruga A” u bë me vendim të Vlora Pacollit, motres së deputetes Fitore Pacolli.
VV përmes një komunikate për media ka deklaruar se ka pasur shkelje ligjore dhe se për këtë arsye janë ndalur punimet.
“Vendimi i sotshëm i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës. Kujtojmë që edhe disa rrugë të tjera të qytetit, si shkak i vendimeve të jashtligjshme të Kryetarit Rama, janë nën masën e sigurisë së gjykatave. Gjithashtu është inicuar kontest gjyqesor nga MAPL ndaj Komunes së Prishtinës për moszbatim të vlerësimeve ligjore siç parashihet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithandej nëpër matjet e të gjitha organizatave, Komuna e Prishtinës prinë për vendime e veprime të paligjshme. “ – ka thënë kjo parti.
Tutje, sipas VV-së duhet dënuar reagimi i kryetarit Përparim Rama rreth këtij vendimi, duke pretenuar se po tenton ta mbulojë dështimin.
“Është për çdo kritikë dhe për t’u denuar reagimi i Kryetarit të Prishtinës në lidhje me këtë çështje. Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident.” – thuhet tutje në komunikatë.