Përgjatë ditës së djeshme, kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, dha dy deklarata të rënda për Adriana Matoshin e VV-së. Fillimisht tha se po flet “sikur kur del nga një shtëpi publike”, e më pas deklaroi “Albin lidhi ku***”.
Këto deklarata kanë nxitur reagim të madh në opinionin publik. Megjithatë, Vetëvendosje po kërkon reagim nga Partia Demokratike e Kosovës.
Albulena Haxhiu kritikoi heshtjen e PDK-së. Por, harroi se askush nga VV-ja nuk e tha asnjë fjalë kur Sami Kurteshi i quajti gazetarët vrasës me pagesë e AGK-në aleancë të grupeve kriminale.
“Jo, Sami, jo. As frika, as presioni nuk funksionojnë te gratë e Lëvizjes. Ti flet me banalitet. PDK: çele guri gojën çele. Asnjë nuk guxon me kundërshtu dhe kjo e bën problemin politik, jo personal. Ne nuk i nënshtrohemi kësaj gjuhe. Nuk lejojmë që ofendimi ndaj grave të kthehet në praktikë politike. Por kjo mendësi po bie. E dini ju krejt se nuk ia dilni me neve”, ka shkruar Haxhiu.
Postim të njëjtë bëri edhe VV-ja në rrjete sociale, por edhe Fitore Pacolli.
“Burrecat e PDK-së kanë hyrë në histori për fyerjet e rënda ndaj grave. Por çdo herë që sulmojnë gratë e VV-së, dijeni që janë në siklet të madh. Po ju humb fuqia, po ju shteron pushteti e nuk po u rrjedh leku, po kapitullojnë para realitetit. Ndërkohë, gratë dhe burrat tjerë të PDK-së nuk guxojnë as të mendojnë të distancohen lëre më të flasin”, ka shkruar Pacolli.
Deklarata të rënda dha edhe Sami Kurteshi. Por, askush në VV nuk guxoi ta çelë gojën për akuzat se gazetarët janë vrasës me pagesë.
Madje, heshti edhe presidentja e Kosovës e kryetari i KQZ-së.
“Aleanca e grupeve kriminale, lutjen e zëshme e të qartë shqip për respektim të hapësirës së punës për KQZ dhe të mediave, e kualifikon si „pengon fizikisht gazetarët“ dhe shprehet e „shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve“ nga unë, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ. Një qenie a grup qeniesh që shpif e gënjen hapur, që lutjen e qartë e të zëshme në gjuhën shqipe, për ndalimin e mësymjes fizike të të ashtuquajturve gazetarë, kamerambajtës në hapësirën e caktuar për mbledhje të KQZ, ose është idiot në kuptimin e plotë të fjalës, ose-ose, mendje e çakorduar kriminale prej vrasësi me pagesë, kur e quan „cenim fizik të gazetarëve“ dhe „pengim fizik të gazetarëve“, dhe si sjellje“recidivist në sulmet ndaj gazetarëve“”, ka shkruar Kurteshi.
Krejt këto akuza, asnjë distancim nga VV-ja. E të njëjtit, kërkojnë distancim nga PDK-ja. Standard tipik i partisë së Albin Kurtit. /Nacionale/






