Paralajmërimi i Avokatit të Popullit se këtë ligj do ta dërgojë në Kushtetues nuk iu ka pëlqyer partive politike. Disa prej tyre publikisht e kanë kundërshtuar këtë iniciativë.
Megjithatë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se dërgimi i këtij ligji për vlerësim të kushtetutshmërisë është i domosdoshëm.
Në konferencën për media të funditvitit, ai ka thënë se në këtë ligj nuk është përfshirë ligji për barazinë gjinore, në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike.
“Ne jemi duke shikuar mundësinë e nënshtrimit të vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit për Zgjedhje në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike. Logjikisht dhe në aspektin praktik, Avokati i Popullit konsideron se është e domosdoshme. Ju e dini se Ligji për zgjedhje ka kaluar në seancë pa ndonjë si të themi diskutim publik që kishte me i shtjerr të gjitha diskutimet në lidhje me temat që mund të jenë konsensuse”, ka thënë ai, duke shtuar se në ligj nuk janë përfshirë disa çështje të rëndësishme. “Në anën tjetër ka pasur një konsensus politik sepse është marrë numri i mjaftueshëm i votave për me kalu si ligj. Ligji ka kaluar pa i përfshirë një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta, e ai është ligji për barazi gjinore”, është shprehur ai.
VV-ja dhe PDK-ja kundër
Paralajmërimi i Avokatit të Popullit për dërgimin e Ligjit për Zgjedhje në Kushtetuese është bërë sebep i një “diskutim të tensionuar” në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ata u panë duke diskutuar të nervozuar.
Ndërsa, më pas, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka sqaruar se diskutimi ishte pikërisht për këtë çështje.
“Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Kjo çështje nuk i ka pëlqyer as shefit të Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka qenë kryetar e Komisionit për Reformë Zgjedhore që e ka hartuar ligjin.
Ai ka bërë me dije se Avokati i Popullit para se të merret me këtë ligj, duhet të merret me disa çështje tjera ku mund të kryej detyrën dhe përgjegjësinë e tij për të mbrojtur qytetarët.
“Ai, pikërisht sot do të duhej që të merrte veprime emergjente për fillimin e hetimeve ndaj abuzimit me faturat e energjisë elektrike dhe madje të zbardhte edhe fakte mbi trajtimin diskriminues të qytetarëve në pagesat e kësaj energjie. Pikërisht sot më shumë se kurrë do të duhej të ishte zëri kumbues kundër vjedhjes dhe diskriminimit të qytetarëve në faturat e energjisë nga qeveria e dhe mafia energjetike”, ka shkruar Tahiri.
Kurse, shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë nuk është veprim i duhur që në vit zgjedhor të amandamentohet Ligji Zgjedhor.
Megjithatë, në një prononcim për gazetën Nacionale, Tahiri ka thënë se është në kompetencën e Avokatit të Popullit se si të veprojë.
“Ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje, ishin mbështetur nga të gjitha partitë politike parlamentare. Më kujtohet se ndryshimet në këtë Ligj ishin kryesisht teknike, rekomandime të rapporteve te BE-se dhe KQZ-se. Si praktikë, mendoj se nuk është veprim i duhur që në vit zgjedhor të amandamentohet Ligji Zgjedhor. Megjithatë, Avokati i Popullit i ka detyrat dhe përgiegjësit e tij kushtetuese si institucion i pavarur dhe mundet ta dërgojë në Kushtetuese”, ka thënë Tahri.
Gazeta Nacionale është mundur të marrë një qëndrimin për këtë çështje edhe nga LDK-ja, por nuk ia ka arritur.
Ndonëse gazeta ka kontaktuar disa zyrtarë të kësaj parti, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë ndonjë qëndrim.