Mesazhet e publikuara të bisedave mes Kusari-Lila -Radjoçiq -Simiq dhe bisedat e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin si dhe të fundit të publikuara sot mes Kusarit dhe Igor Simiqit janë bërë shkak që Lëvizja Vetëvendosje të marrë reagime nga opozita.
E gjithë kjo duket se ka nxitur Lëvizjen Vetëvendosje të mobilizojë disa deputetë të saj e ndonjë ministër për të ‘zhvendosur vëmendjen’ nga këto zhvillime.
Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka quajtur “ushujza” opozitën, të njëjtit i ka akuzuar se “i kanë thithur gjakun Kosovës, për t’u ushqyer vet”.
“Dhe ngjashëm, tani kur këto ushujza po hiqen një nga një nga trupi i Kosovës, i dëgjon kastën e vjetër teksa ulërijnë e bërtasin, e akuzojnë se si vendit po i shkaktohet plagë e gjakderdhje.
Por në fakt, plaga dhe gjakderdhja në rastin e ushujzës janë pasoja, dhe njëkohësisht treguesi se trupi më në fund do të shërohet. Prandaj edhe s’do të ndalemi.
Të gjitha ushujzat do të hiqen një nga një. Mund të shkaktojë pak dhimbje në fillim, e mund të duket se po shkakton edhe gjakderdhje të përkohshme madje, mirëpo kjo është e vetmja mënyrë se si të kthjellet trupi”, shkroi Murati.