Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një hartë, në të cilën paraqitet përqindja e partive politike e marrë në zgjedhjet parlamentare në secilën komunë. Vetëvendosja e Kurtit, që aktualisht udhëheqë në vetëm katër komuna, sipas kësaj harte në 21 komuna ka dalë e para në zgjedhjet e nëntë shkurtit.
Kurti në shkrimin e tij në Facebook, ka thënë se kjo hartë duhet të shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë. “Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë” – ka shkruar ai.
Ndërkohë, sipas hartës, VV ka dalë e para, Lista Serbe e dyta, pasuar nga PDK e AAK.
Theksojmë se para katër viteve, Vetëvendosje kishte marrë mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit atë kohë.
Megjithatë, disa muaj më vonë, në zgjedhjet lokale, kjo parti kishte dështuar keq, anise parashikonte rezultat shumë më të mirë.
VV-ja e Kurtit, kishte arritur të fitojë në vetëm katër komuna.
Ndryshe, gjatë kësaj jave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Rezultati si në vijim:
Lëvizja Vetëvendosje – 396 mijë e 387 vota apo 42.30 për qind
Partia Demokratike e Kosovës – 196 mijë e 474 vota apo 20.95 për qind
Lidhja Demokratike e Kosovës – 171 mijë e 357 vota apo 18.27 për qind.
AAK-NISMA – 66 mijë e 256 vota apo 7.06 për qind
Lista Serbe – 39 mijë e 915 vota apo 4.26 %.
Certifikimi, u bë saktësisht 46 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Kundër votuan dy anëtarët e VV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi.
Ndonëse PZAP-ja dhe Gjykata Supreme ia kanë rrëzuar ankesën për anulimin e rezultatit të votave me postë të diasporës, partia në pushtet ka vazhduar ankesat për të kontestuar këtë rezultat.Madje, ankesën e fundit e ka bërë në Gjykatën Kushtetuese, e cila është prej gjykatave më të atakuara nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij