Vetëm edhe dy ditë kanë mbetur deri në fund të afatit 30-ditor që Gjykata Kushtetuese ia dha deputetëve për të konstituuar Kuvendin. Nesër do të jetë hera e 52-të që vazhdohet seanca e cila për rreth pesë muaj pas zgjedhjeve s’nxori Kuvend të konstituuar. Që të përmbushet ky obligim kushtetues shpresat janë varur te një marrëveshje mes Lëvizje Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate. Megjithatë, as kjo marrëveshje s’është fort e sigurt se do të mund të konstituojë legjislaturën e re nëse s’bindet njëri nga dy deputetët nga komunitetet joshumicë joserbe, Duda Balje apo Adem Hoxha.
Nëse do të mund të merret vesh deri nesër – apo deri të shtunën – me Nismën e Fatmir Limajt, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do t’i ketë 59 ose 60 vota – 48 nga deputetët e vet, 3 nga Nisma dhe 8 apo 9 nga komunitetet joshumicë. Derisa të sigurt e ka votën e një deputeti serb – Nenad Rashiq, Kurti diskutabile e ka atë të Veton Berishës, deputetit egjiptian, i cili ka thënë se votën për Kuvend e jep vetëm në votim të hapur. Por, qoftë edhe me Berishën, Vetëvendosjes do t’i duhet që ta gjejë edhe një votë tjetër në mënyrë që të konstituojë Kuvendin.
Deputetja boshnjake, Duda Balje, duket e pabindur.
Në një deklarim të sotëm, Balje la të nënkuptohet se është angazhuar Fatmir Limaj që t’ia ndërrojë mendjen dhe të votojë një kandidat të propozuar nga Vetëvendosje për kryeparlamentar.
Ajo tha se ai e kishte kontaktuar për një bisedë, por se kjo ia bëri të qartë se e vetmja mënyrë për t’ia marrë votën është një komunë boshnjake.
“Me Fatmirin kemi biseduar, por me Vetëvendosjen jo. Jam e sigurt që Vetëvendosje e di vendimin të cilin e kam marrë. Me Fatmirin kemi biseduar, por mendoj se ai e ka kuptuar arsyetimin tem dhe vendimin që e kam marrë”, tha ajo për Indeksonline.
“Cila ka qenë kërkesa e Fatmir Limajt?”, ishte pyetja për Baljen.
“Jo kurgjo veç ka thënë a ka mundësi me bisedu, a do naj pozitë a najsen. Unë s’du pozitë as kurgjo, kërkesa ka qenë për boshnjakë”, shkruan Gazeta Express
Balje tha se s’është e interesuar për asnjë post, ndërsa për Kurtin tha se nuk kanë besim të ndërsjellë.
“Unë nuk du as pare as poste, nuk du me qenë as ministreshë. Send nuk du për veti, as për partinë nuk du kurgjo, është kërkesa nacionale (për komunë boshnjake). Unë nuk du me bashkëpunu me Albin Kurtin sepse nuk kam besim. S’mundësh me punu me dikan që s’ki besim. As Albini s’ka besim tek unë”.
Për këtë bisedë me deputeten boshnjake është deklaruar edhe vetë Limaj, i cili e prezantoi si një bisedë të zakonshme mes kolegësh në Parlament dhe jo një kontaktim për t’i bërë oferta.
Ai tha se nuk ka pasur takim të veçantë, por vetëm diskutime të zakonshme siç bëjnë rëndom deputetët ndërmjet vete.
‘’Nuk është puna e imje me i ofru diçka. Takohemi çdo ditë, ashtu siç takohen e bisedojnë deputetët mes vete. Deputetja Balje i ka paraqitur arsyet e vet pse nuk do me votu dhe jemi në rregull’’, ka thënë Limaj për Front Online.
Limaj edhe në deklarimin e sotëm s’dha ndonjë sinjal për përafrim me Kurtin, ndërsa shtoi se aktualisht janë duke e pritur përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën e Presidentes Osmani.
“Po presim masën e sigurisë së Gjykatës Kushtetuese sot, sepse duhet me dhënë një përgjigje Presidentes sepse e ka një afat 48 orësh Gjykata, ose e aplikon masën e sigurisë ose e hedhë poshtë këtë kërkesë. Nëse vjen masa e sigurisë më Parlamenti nuk mblidhet deri në aktgjykim’’, ka thënë Limaj.
Ai ka sqaruar se nuk ka ende një takim të caktuar me Kurtin dhe tha se pozicionet i kanë të njëjta – Limaj e do postin e kryeparlamentarit, Vetëvendosje e do Nismën partnere në ekzekutiv.
“Nuk kemi takim të përcaktuar me z. Kurtin. Nuk ka pasur propozime, opsionet i kemi të qarta prej ditës të parë, nuk janë të vërteta. Propozimet janë të njohura edhe të miat dhe të atyre’’, ka thënë Limaj, i cili gjithashtu hodhi poshtë spekulimet për propozime të reja, duke theksuar se pozicionet dhe opsionet politike janë të njohura që nga dita e parë e këtij procesi. Nuk ka pasur propozime – opsionet i kemi të qarta prej ditës së parë, nuk janë të vërteta. Propozimet janë të njohura – edhe të miat edhe të atyre’’, tha Limaj.
Për seancën e nesërme janë rritur pritshmëritë për dalje nga ngërçi i gjatë në të cilën ka hyrë në mënyrë të paprecedentë Kuvendi i Kosovës.
Edhe ambasadorët e huaj në vend kanë paralajmëruar se do të jenë prezentë për të parë nëse deputetët kosovarë do të përmbushin obligimin kushtetues me të cilën janë ngarkuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, ka njoftuar pak më parë ambasada gjermane.
Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi që e nxori në qershor obligoi deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve. Megjithatë, s’tregoi se çfarë pasoja juridike do të kenë ata për moskryerjen e obligimit të tyre ligjor.