Opozita ka kritikuar Kurtin për një gjë të tillë. Sipas tyre, veprimet e tilla janë marrëzi dhe në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Kurti presidentin e Serbisë po e takon pa kushte, kurse për takim me kryeministrin shqiptar po vendosë kushte.
“Si është e mundur që Kryeministri Kurti refuzon takimin me Kryeministrin e Shqipërisë?! Si është e mundur?! Kjo është marrëzi. Turp. Vuçiçin e takon pa kushte, e Ramës i vendosë kushte. Kryeministër, Kosova nuk është lodër. Qeverisja nuk është lojë fëmijësh. Lëri inatet, mllefet e hatërmbetjet personale”, ka shkruar Çitaku në profilin e tij në “Facebook”.
I habitu me qëndrimin e Kurtit është shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit që ka pasur me gazetarët dhe analistët, ai ka thënë se kryeministri shqiptar çdoherë duhet të jetë i mirëseardhur në Kosovë.
“Natyrisht se kryeministri i Shqipërisë është i mirëseardhur në Kosovë. Çdo kryeministër i Shqipërisë duhet të jetë gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë një çështje të tillë, nëse duhet të mirëpritet një kryeministër i Shqipërisë tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova dhe nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje sinqerisht. Kryeministri i Shqipërisë, pozicioni i tij, atë që përfaqëson ai dhe populli shqiptar janë të mirëseardhur në shtëpinë e tyre në Kosovë, gjithmonë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Më e ashpër në reagim ka qenë edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Kurti refuzimin e takimit po e bën për inate personale.
“Albini ma leht ja falë Vuçiqit krimet e gjenocidin që ka ndodhë në Kosovë se sa qe ja falë Kryeministrit Rama qe e e ka shkatërru tentativen e Albinit për të ndërhyrë ne zgjedhjet e brëndshme të Shqipërisë përmes VV ! Inatin e madh e ka thiu!”, ka thënë Musliu.
Edhe zyrtari i Nismës, Zafir Berisha, ka kritikuar Kurtin për këtë veprim.
Sipas tij, i pari i qeverisë në këtë mënyrë po e përçan kombin shqiptar.
“Erdhi në pushtet me slloganin për bashkim kombëtar, ndërsa sot investon me sjellje dhe veprime në përqarje kombëtare! Edi Rama është kryeministër, të cilin e obligon kushtetuta e Shqipëris që të kujteset për shqiptarët jashtë Shqipëris londineze. Serbie që pas luftës dytë botërore, me të madhe ka investuar që shqiptarët e Kosovës dhe Shqipëris të thirren, ne dhe ata. Ndërsa Albini për dy vite bëri atë që Serbia për 100 vite nuk e ka arritur. Nuk është e rasti fushata kundër Edi Ramës që pregaditet në kuzhinat e Beogradit, e që me mjeshtëri po përhapet nga horrat e sektit në pushtet, sepse kështu dëshiron Serbia!”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në “Facebook”.
As shoqëria civile nuk ka heshtur lidhur me refuzimin e këtij takimi.
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftarja, ka ironizuar me qëndrimin e Kurtit, duke thënë se Kosova po e sanksionon Shqipërinë.
“Bashkimi Evropian sanksione Kosovës, Kosova sanksione Edi Ramës.”, ka shkruar Miftaraj.
Refuzimi i takimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka treguar se do ta refuzojë takimin me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili vije nesër në Prishtinë për të nisur turin e Procesit të Berlinit.
Në një konferencë për media, Kurti ka kërkuar që të mbahet mbledhja e dy qeverive e cila ishte anuluar kohë në qershor nga qeveria shqiptare.
“Nuk lëngon raporti Kosovës-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë por për shkak se mbledhjet e të dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Unë e konsideroj të nevojshme mbledhjen e dy qeverive, por jo takime të tjera”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, më e arsyeshme se takimi do të ishte mbajtja e mbledhjes se përbashkët.
“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejt më kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama edhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Është thënë që ky tur ballkanik ka të bëjë më përgatitje të samitit të radhë të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor, pra më shumë sesa tre muaj prej tani dhe unë miqësisht i kam kërkuar Ramës meqë do të vijë e të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë që ta mbajë edhe mbledhjen e dy qeverive që u anulua paarsyeshëm”, ka thënë Kurti.
Për refuzimin e takimit, është pyetur nga gazetarët edhe kryeministri Edi Rama.
Derisa po shpaloste një vendim në fushën e arsimit, kryeministri shqiptar ka thënë se për këtë cështje do të deklarohet nesër në Prishtinë.
“Nuk kam lidhje me këtë. Jam këtu për këtë vendim. Për sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe gjithë turit do të flas kur të jetë koha për të folur, që është nesër në Prishtinë.”, është shprehur Rama.