Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me Kosovën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke e konsideruar atë si “kornizën e vetme që mund të garantojë paqe, stabilitet dhe parashikueshmëri për të gjithë që jetojnë në Kosovë”.
Përmes një postimi pas takimit në Bruksel me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sorensen, Vuçiq ka thënë se bisedimet janë përqendruar në “hapat konkretë, zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të marrëveshjeve të arritura, de-eskalimin në terren dhe mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit serb”.
Ai përmendi rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “në përputhje me marrëveshjet ekzistuese”, duke e cilësuar atë si “element kyç për një zgjidhje të qëndrueshme”.
Postimi:
Në një bisedë të hapur, e riafirmova përkushtimin tonë ndaj dialogut nën ombrellën e Bashkimit Evropian, si korniza e vetme që mund të sigurojë paqe, stabilitet dhe parashikueshmëri për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.
Vëmendjen tonë e përqendruam në hapat konkretë, zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të marrëveshjeve tashmë të arritura, de-eskalimin në terren dhe mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit serb.
Theksova posaçërisht rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përputhje me marrëveshjet, si një element kyç i një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Serbia mbetet një partnere e besueshme dhe konstruktive, e gatshme për kompromis të përgjegjshëm, me respekt të qartë për detyrimet e marra dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Jam mirënjohës përfaqësuesve të BE-së për angazhimin e tyre dhe ne do të vazhdojmë kontaktet me qëllim të ruajtjes së paqes dhe sigurimit të një jete normale për të gjithë qytetarët tanë.






