18.9 C
New York
Thursday, October 9, 2025

Buy now

Vuçiq me akuza pasi dronët Skydagger i erdhën Kosovës: Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor

- Advertisement -
Kosova ka pranuar të mërkurën kontejnerët “me mijëra dronë” luftarakë kamikazë, Skydagger, njoftoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kurti tha në Facebook se dronët kanë mbërritur para afatit të paparaparë kohor dhe se dhjetëra ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.

Kosova nënshkroi kontratën në dhjetor të vitit të kaluar me kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager, tregoi Kurti.

“Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët”, tha ai.

“Këta dronë kamikazë të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, shkroi Kurti.

Kurti tha se, me blerjen e këtyre dronëve, Kosova po vazhdon “ta ngrejë dhe shtojë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka kritikuar Turqinë, duke thënë se është i tmerruar nga sjellja e këtij vendi dhe ka konsideruar se ai e ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, ka thënë presidenti serb përmes një postimi në X – dikur Twitter.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar autoriteteve turke për koment dhe është në pritje të përgjigjes.

Skydagger RTF është dron “i gatshëm për fluturim”, shpesh edhe dron luftarak, i pajisur me një mjet shpërthyes për përdorim kundër shënjestrave të palëvizshme dhe të lëvizshme, megjithëse ka edhe aplikime profesionale si vëzhgimi dhe kërkim-shpëtimi.

RTF nënkupton se droni është plotësisht i montuar dhe përfshin të gjitha komponentët e nevojshëm, si vetë droni, një transmetues radioje, një marrës dhe bateritë, duke e bërë atë të gatshëm menjëherë për fluturim sapo të blihet.

Ky dron mund të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 130kmh në largësi maksimale deri në 10 kilometra.

Forca e Sigurisë së Kosovës, aktualisht, është në proces të transformimit në ushtri.

Ky proces filloi në vitin 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore, dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi, nuk kishte zbuluar më herët për REL se sa është shpenzuar këtë vit për armatim, por theksoi se kjo qeveri ka investuar “shumëfish më shumë” sesa të kaluarat.

Në shtator, FSK-ja ka pranuar dronë të blerë nga Shtetet e Bashkuara – modeli RQ-20 Puma LE.

Në gusht, FSK-ja është pajisur edhe me automjete të blinduara, të blera nga Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, ajo ka paraqitur kërkesë për të blerë edhe 200 raketa antitank, Javelin, dhe tani është në proces të pagesës.

Kosova ka blerë edhe një flotë të dronëve turq, Bayraktar, në vitin 2023.

Në vitin 2018, nga SHBA-ja në Kosovë kanë arritur edhe automjete ushtarake të tipit Humvee. Qeveria e Kosovës, atëkohë, ka nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane AM General për blerjen e 51 automjeteve të këtij lloji.

Dy vjet më vonë, Kosova ka blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërsa në vitin 2021, Qeveria amerikane i ka dhuruar Kosovës 55 automjete ASV (Automjete të Blinduara Sigurie).

Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes – këtë vit ka arritur në 207.8 milionë euro.

FSK-ja stërvitet vazhdimisht në bazat amerikane dhe evropiane, dhe gjithashtu merr pjesë në ushtrime shumëkombëshe si “Defender Europe”.

Në fund të vitit të kaluar, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Turqinë për të ndërtuar fabrikën e saj të parë të municioneve.

Gashi, nga Ministria e Mbrojtjes, thotë se pritjet janë që ajo të funksionalizohet “brenda dy vjetësh”. Ndërsa, për bashkëpunimin ushtarak të shpallur në mars mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, thotë se aktualisht “është duke u përpiluar plani i përbashkët i aktiviteteve”.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur transformimin e FSK-së në ushtri që nga fillimi, por jo edhe NATO-ja, e cila këmbëngul që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj origjinale, siç janë reagimi ndaj krizave ose mbrojtja civile./Radio Evropa e Lirë/

Të ngjashme

Të fundit