28.1 C
New York
Sunday, July 13, 2025

Buy now

Vuçiq i përgjigjet Osmanit pasi tha se Beogradi ka kërcënuar me përshkallëzim konflikti

- Advertisement -

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka hedhur poshtë deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që Beogradi zyrtar ka kërcënuar Prishtinën me konflikt.

“Nuk e kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi nisur asnjë makineri, as nuk na shkon mendja, ne duam të punojmë, të ndërtojmë”, ka thënë Vuçiq më 12 korrik.

Dy ditë më parë, më 10 korrik, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka “informacion të besueshëm” se presidenti amerikan, Donald Trump e ka “parandaluar së fundmi” një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë të drejtuar nga Serbia në Kosovë.

“Sa i përket Vjosa Osmanit, që kinse jemi duke u përgatitur për konflikte, këtë mëngjes e kam pasur një takim me përfaqësuesit më të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit që janë duke e vizituar Serbinë… a mendoni që mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh?”, ka pyetur Vuçiq.

Ai ka përmendur më herët gjatë ditës se në takim me përfaqësuesin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan kanë diskutuar për çështje globale, marrëdhënie bilaterale dhe sigurinë e Ballkanin Perëndimor.

“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook, duke përmendur se me diplomatin amerikan ka diskutuar edhe për situatën në Ballkan.

Në postimet e tij në rrjetet sociale, Vuçiq nuk ka ofruar hollësi nëse ka diskutuar me zyrtarin amerikan për deklaratat e fundit të presidentes Osmani apo ato të presidentit Trump.

Qeveria në detyrë e Kosovës dhe as Ministria në detyrë për Punë të Brendshme nuk u janë përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të treguar më në hollësi për rrezikun e sigurisë nga Serbia dhe se për çfarë përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.

Beogradi zyrtar ka thënë se deklaratat e Osmanit janë “të rreme”.

Pretendimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, kanë tërhequr vëmendje, por edhe kanë krijuar konfuzion, pasi në opinionin publik mungojnë detaje – të tilla si periudha kohore në të cilën ka mundur të ndodhte një përshkallëzim i tillë.

Çfarë tha Trump?

Presidenti Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Ai e akuzoi pasardhësin e tij të atëhershëm, ish-presidentin Joe Biden, se “ka dëmtuar perspektivën afatgjate me disa vendime shumë të pakuptimta”, por se ai “do ta rregullojë sërish”.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po luftonin ashpër, siç kishin bërë për dekada të tëra, dhe ky konflikt i gjatë kërcënonte të përshkallëzohej në luftë. Unë e ndalova atë”, shkroi Trump.

Pastaj, në një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam. E parandaluam për tregti. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë: ne nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, tha Trump.

Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti se e kishte ndaluar luftën në rajon, duke kërcënuar se do ta pezullonte tregtinë.

“Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”, tha Trump.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, sidomos në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.

Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës kulmoi në shtator të vitit 2023 kur një grup i armatosur serbësh, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe – sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë dhe vrau një rreshter policie.

Kosova e përshkroi sulmin si terrorist dhe e akuzoi Serbinë se qëndron pas tij – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohoi.

Osmani e përmendi këtë sulm në Uashington, duke thënë se ngjarjet e tilla konfirmojnë se ekziston një rrezik real për incidente të ngjashme në të ardhmen, prandaj, tha ajo, është e rëndësishme që të ketë jo vetëm frenim ushtarak, por edhe politik të Serbisë nga planet e tilla./REL/

Të ngjashme

Të fundit