Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Vitit të Ri, u ka uruar qytetarëve paqe, dhe veçanërisht iu drejtua serbëve të Kosovës, duke u dëshiruar shëndet dhe që të ruajnë vatrat e tyre, me mesazhin se shteti i Serbisë “gjithmonë është pranë tyre”.
„Uroj për të gjithë, para së gjithash, paqe. Paqja është më e rëndësishmja dhe nëse kemi paqe dhe stabilitet, e do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona për ta arritur atë, do të luftojmë që vendi ynë të jetë një nga vendet që “do të ketë rritje më të shpejt në Evropë”. Me një politikë të mençur do të sigurojmë që njerëzit të kenë paga dhe pensione më të larta, që të jetojnë më lehtë. Nuk do të jetë e thjeshtë“, ka thënë Vuçiq në propagandën e tij të zakonshëm dhe tashmë të njohur edhe për përkrahësit e tij më besnik, transmeton Paparaci.
Ai përmendi se më 20 janar pritet një „pikë kthese“ me ardhjen në pushtet të Donald Trump-it në SHBA.
“Kemi shumë pritshmëri, në nivele të ndryshme, por në fund të fundit gjithçka varet nga ne. Kjo është beteja jonë, të luftojmë për ta ruajtur Serbinë“, ka thënë Vuçiqi.
Ai gjithashtu u uroi një Vit të Ri të lumtur serbëve të Kosovës, në Republikën Serbe, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Slloveni dhe të gjithë botën, duke i falënderuar ata për mbështetje ndaj vendit të tij.
“Por, populli ynë nga ‘zemra e Serbisë, nga Kosova dhe Metohia’, meriton një vëmendje të veçantë. E di që për ta Krishtlindjet janë më të rëndësishme se Viti i Ri, por në çdo rast, në vitin 2025 u uroj shëndet, të ruajnë vatrat e tyre, dhe Serbia e tyre do të jetë gjithmonë me ta”, ka thënë Vuçiqi.