0.7 C
New York
Sunday, February 9, 2025

Buy now

“Vuan nga pagjumësia e diabeti”, Nezir Mehmetaj tash e dy vjet e gjysmë në burgun e Serbisë

- Advertisement -

Nezir Mehmetaj që dy vite e gjysmë po mbahet në burgun e Serbisë nën akuzat për krime lufte nga autoritetet serbe, ndonëse këto akuza nuk po arrijnë t’i argumentojnë dot. Në mungesë argumentimi, drejtësia në Serbi që dy vite e gjysmë po e gjykon një-trajtshëm, duke ia vazhduar masën e paraburgimit. Mungesa e vëmendjes së institucioneve kosovare drejt kësaj çështjeje po rëndon edhe familjarët e Nezirit.

Kështu, të paktën ka deklaruar vëllai i tij, Valon Mehmetaj, në një prononcim për lajmi.net. I njëjti ka thënë se vëllai i tij po vuan nga pagjumësia e sëmundja e diabetit, teksa ka dhënë detaje edhe për vizitën e fundit të familjarëve në burgun ku po mbahet Nezir Mehmetaj.

“Kontakti i fundit me Nezir Mehmetaj ishte para një muaji kur vajza e tij e ka vizituar dhe sipas saj Neziri po mundohet me u mbajtur por rrethanat e padrejtësis për mbajtjen në paraburgim po e mundojn shumë si dhe aty nuk ndihet rahat dhe i sigurt andaj si pasojë po vuan nga pagjumësia po ashtu vlen të cekët se është edhe diabetik me insulinë”, ka deklaruar Valon Mehmetaj.

Ai ka thënë se vizitë familjes nuk i kanë bërë asnjë nga krerët qeveritarë. Ndërkaq, sipas Valonit, Nezirin e ka vizituar vetëm shefi i Zyres Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, mirëpo edhe ai rrallë.

Lajmi.net ka kontaktuar Jasharin nëse është planifikuar ndonjë vizitë ndaj Nezirit nga ana e Zyrës Ndërlidhëse, por i njëjti ka thënë se sipas rregullativave të MPJD-së, diplomatët e angazhuar në misionet diplomatike nuk mund të komunikojnë drejtpërdrejtë me mediat. Sidoqoftë, i njëjti e ka quajtur mbajtjen në burg të Nezir Mehmetajt nga autorietet serbe si “plotësisht padrejtësisht dhe me akuza të fabrikuara”.

“Sa i perket kerkeses suaj, me keqardhje me duhet t’ju njohtoj se sipas rregullativave te MPJD-se, ne si diplomate te angazhuar ne misionet diplomatike dhe konsullore te Republikes se Kosoves, me mediat ne Kosove nuk mund te komunikojme drejtperdrejt por vetem permes Divizionit per Komunikim me Publikun, te MPJD-se”, është deklaruar ai.

Mediumi ka dërguar pyetje në adresë të MPJD-së për t’i pyetur nëse zyrtarë të këtij dikasteri kanë planifikuar ta vizitojnë Nezir Mehmetajn në Serbi, por deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Për mungesë të vëmendjes së institucioneve për rastin e Nezir Mehmetajt së fundmi ka reaguar edhe ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj. Ajo e ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e tij, si dhe ka kërkuar nga institucionet drejtësi të pa rreshtur për të.

“Pyes veten nëse dikush nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, diplomatët që shërbejnë në Zyrën Ndërlidhëse të #Kosovës në #Serbi, kanë vizituar qytetarin e Kosovës ndaluar padrejtësisht #NezirMehmetaj në burgun e #Beogradit?! Kosova nuk duhet të ndalet së kërkuari drejtësi dhe përgjegjësi për paraburgimin e tij të paligjshëm tash e 2 vjet nga Serbia”, ka shkruar Haradinaj në ‘Twitter’.

Lajmi.net, po ashtu, ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë së Krimeve të Luftës në Serbi për të marrë të dhëna më të detajuara lidhur me rastin e Mehmetajt, por të njëjtin nuk janë përgjigjur.

Pas arrestimit të Mehmetajt, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano i pati thënë se BE-ja po monitoron të gjitha procedurat gjyqësore, përfshirë edhe këtë, duke shtuar se “institucionet gjyqësore në Kosovë dhe Serbi duhet të punojnë ngushtë së bashku për të hetuar dhe ndjekur penalisht të dyshuarit.

Mirëpo, ndryshe nga BE-ja, autoritetet në Kosovë e patën cilësuar veprimin e arrestimit të Nezir Mehmetajt si shkelje të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u pati thënë qytetarëve se Serbia nuk është më territor që ofron siguri as minimale për integritetin fizik dhe juridik.

Në aktakuzën e Gjykatës në Serbi thuhet se Mehmetaj ka marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Dasic në mesin e qershorit 1999 dhe në fund të muajit në vrasjen e Jelaj Ramadan dhe Zorka Siljakoviq.

Prokuroria e Krimeve të Luftës në Beograd ngriti aktakuzën më 30 qershor 2020.

Mehmetaj mohoi të gjitha akuzat.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit