Një vrasje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një grua.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se gruaja është gjetur pa shenja jete në një veturë.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Sipas informacioneve të para të Policisë, “dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.
Policia në koordinim me prokurorinë, tashmë kanë nisur hetimin dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.
Dyshohet se viktima është gruaja e bashkëpunëtorit të Behgjet Pacollit, Naim Murselit.