Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj pesë zyrtarëve policorë, të cilët janë të dyshuar për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia” në rastin e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani që humbi jetën pas arrestimit.
Kërkesa për masën e sigurisë ndaj pesë zyrtarëve të dyshuar policorë është përpiluar nga Prokurori I Shtetit. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala, për Insajderin.
“Mundemi me konfirmu se Prokurori i shtetit ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve. Për më shumë informacione ju njoftojmë me kohë”, njoftoi Shala.
Rasti i Agon Zejnullahut ka marrë edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve. Shefi i misionit i EULEX’it kërkoi zbardhjen e plotë të rastit, pak më herët.
“Marrë parasysh fillimin e menjëhershëm të hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës pas vdekjes së një personi në Lipjan, presim që autoritetet kompetente të sqarojnë plotësisht dhe në mënyrë transparente rrethanat e rastit, duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut”, deklaroi Giovanni Petro Barbano, shefi i misionit të EULEX’it, në llogarinë e tij në platformën ‘X’.