Një muaj paraburgim ia ka caktuar Gjykata Themelore në Prizren, të dyshuarit me inicialet E.B., për vrasjen me thikë në Prizren.
Në njoftimin e gjykatës lëshuar për media, thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar se “më datë 10 Gusht 2025, rreth orës 20:30 min, në Prizren, në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari”, i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje privon nga jeta të ndjerin H.Sh., , në atë mënyrë që fillimisht nxisin qenët e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosje të shkurtër i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën patent, ngjyrë e zezë dhe e godet në pjesën e gjoksit H.Sh., i cili nuk e ka pritur këtë goditje me faktin se ata kanë qenë shok, më pas i pandehuri ik në drejtim të fshatit, ndërsa i ndjeri përcillet në qendër emergjente të Spitalit “Daut Mustafa”, në Prizren, në gjendje të rëndë shëndetësorë ku më pas është dërguar në QKUK-së në Prishtinë ku edhe ndërron jetë nga plagët e marra.
“Gjithashtu më datë, kohë dhe vend të njëjtë posedon armën e ftohtë, pa leje, në vend publik ku ishin të grumbulluar një numër i madh i njerëz, duke e përdorur për qëllime vdekje prurëse thikën patent, me ngjyrë të zezë, me të cilën ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit H.Sh., krejt kjo në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi posedimin e armëve të ftohta”, transmeton Klankosova.tv.
Tutje thuhet se gjykata vlerëson që janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit sepse ekziston rreziku i arratisjes nëse ai lirohet.
“Duke marrë parasysh provat materiale të mbledhura deri në këtë fazë, të cilat arsyetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ky kryer veprat penale, Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse i pandehuri pas kohës kur dyshohet se ka kryer veprën penale ka qenë në arrati, dhe prania e tij para institucioneve të drejtësisë është siguruar pas kërkimit dhe arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, nga këto arsye ekziston rreziku se me lënien në liri apo masë alternative, i njëjti mund të ipet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe të jetë i pa arritshëm për institucionet, duke penguar zhvillimin e procedurës hetimore të pa penguar. Gjithashtu kjo çështje penale është në fazën fillestare të hetimit, dhe para Prokurorit të Shtetit do të merren në pyetje dëshmitarët e rastit dhe i pandehuri, andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimi në dëshmitarë, apo fshehjes së fakteve dhe provave tjera materiale, për çka është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm.