Mbrëmë një vrasje ka ndodhur në Prishtinë. Një grua dyshohet se e vrau vëllain e bashkëshortit- kunatin- dhe më pas u vetdorëzua në Polici.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, tha se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajete është dërguar në IML për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeç) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.”- tha ajo për Express.
Ulaj tha se nga hetimet preliminare motivi i vrasjes dyshohet se janë problemet familjare.
Ajo shtoi se do të kërkojnë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës.
“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes se këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë te gjitha rrethanat e këtij rasti. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do te paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente.”
Ndërkaq në raportin e sotëm të Policisë thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe 10 gëzhoja dhe katër predha.
“VRASJE E RËNDË- Prishtinë / 20.08.2024 – 19:00. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”