Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e mbrëmshme në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë ku një grua dyshohet të ketë vrarë kunatin e saj.

Në raportin 24-orësh të policisë bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha.

Po ashtu është sekuestruar pistoleta me të cilën dyshohet se është kryer vrasja dhe një karikator me 3 fishekë.

Gjatë kontrollit thuhet se janë gjetur edhe 27 fishekë.

“Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

Ndryshe, mbrëmë, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se e dyshuara është vetëdorëzuar.

Hetuesit policorë në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast.