Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, është shprehur i tronditur me vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Ai ka shprehur indinjatën ndaj prokurorisë dhe gjyqësorit.
“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka thënë se është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë e të mos bëjnë tolerim për “asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale”.